Poposki: Akoma është largë zgjidhja e çështjes së emrit

alsatmtv 2015-08-21

Views 3

Ministri i Jashtëm Nikolla Poposki, deklaroi se çështja e emrit nuk paraqet një 'konflikt të ngrirë'. Në një intervistë për agjencinë turke 'Anadolia' Poposki është shprehur se megjithëse palët nuk arrijnë dot t'i kapërcejnë dallimet tani më një kohë të gjatë, prapë se prapë ky proces nuk mund të cilësohet si i ngrirë. Autoritetet e vendit përmes iniciativave të ndryshme kanë dëshmuar se janë 'pro' arritjes së kompromisit, por nuk kanë bashkëbisedues nga pala tjetër, ka shtuar Poposki.

"Treguam kapacitet të jashtëzakonshëm me qëllim që të arrihet kompromisi. Deri më tani bëmë sakrifica të mëdha me pranimin e zgjidhjes së kompromisit në vitin 1995, me Marrëveshjen e Përkohshme, që parashikonte ndryshimin e flamurit, Kushtetutës dhe garancive të tjera që bëmë ndaj fqinjit jugor, ndërsa si përgjigje nuk morëm asgjë, përveç emrit nënçmues në Kombet e Bashkuara", është shprehur Shefi i diplomacisë maqedonase Poposki.

Sipas tij, duket qartë se Athina momentalisht nuk është e gatshme për kapërcimin e problemit të emrit. Ndërkaq duke komentuar akuzat e autoriteteve greke se Maqedonia përvetëson kulturën dhe historinë greke, Poposki tha se bëhet fjalë për arsyetime me qëllim që të shmanget zgjidhja. Shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Poposki edhe pas takimit me kolegun e tij grek Evangeliz Venizelos në Nju Jork, u shpreh se mes dy vendeve ekzistojnë male për sa i përket çështjes së emrit. Dallimi kryesor i palëve ka të bëjë me çështjen se ku do të qëndrojë përcaktuesi gjeografik si dhe lidhur me përdorimin e emrit të ri. Nga ana tjetër, në kohën kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në publikimin e raportit të progresit të Komisionit Evropian, nga i cili do të varet procesi i mëtejshëm integrues i vendit, kreu i BDI-së Ali Ahmeti paralajmëroi vazhdimin e ofensivës së tij diplomatike nëpër kryeqendrat evropiane sikurse në Bruksel, Paris dhe Hagë. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form