TIRANË - Ka rënë pas 5 orësh (në orën 18:00) nga çasti i shpërthimit me tritol godina e kundërshtuar dhe e konsideruar si e paligjshme pranë Fakultetit Ekonomik.
Forcat xheniere të ushtrisë dhe policia, fillimisht me një shpërthim të komanduar me 300 kallëpe lëndë plasëse, kanë arritur të shembin pjesërisht godinën 4-katëshe pranë Fakultetit Ekonomik në Qytetin Studenti. Aksioni i nisur që dje në orën 10:00 ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme dhe shpërthimi është kryer fiks sot në orën 13:10.
Në këtë çast, pas shumë masash paraprake nga ana e policisë, duke futur këtu edhe ndalimin e qarkullimit në pesë rrugë për makinat dhe njerëzit, urdhri i shpërthimit është dhënë nga zv/drejtori i Policisë së Tiranës, Pandi Sulla.