Kryeministri Nikolla Gruevski ka vazhduar me retorikën e tij edhe më të ashpër ndaj fqinjit jugor për kontestin rreth emrit që paraqet një nga pengesat kryesore për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Ai tha se është i gatshëm për kompromis por pa cenim të identitetit dhe gjuhës maqedonase.
"Ne jemi të vetëdijshëm se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me kompromis dhe ne jemi të gatshëm për të. Por nuk është kompromis ajo që me vite, dekada dhe shekuj të parët tanë kanë luftuar që ta arrijnë, kanë edhe jetën e tyre apo kanë vuajtur nëpër burgje tani ta shkatërrojmë. Nuk mundet dikush nga ne të kërkoj atë që me shekuj jemi, e tani të mos jemi, të vet-shlyhemi. Ne kemi qenë dhe do të mbesim maqedonas me gjuhë maqedonase në këtë shtet, në Republikën e Maqedonisë", deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.
Sipas tij tek pala greke përveç që mungon vullneti politik për zgjidhjen e problemit të emrit ajo vazhdon edhe më tej me fyerjet ndaj Maqedonisë duke e emërtuar në vazhdimësi si FIROM. Gruevski ka pyetur se vallë si do të ndjeheshin grekët nëse shtetin e tyre e quajmë, ish provinca otomane e Greqisë.
"Fqiu jonë jugor akoma beson se problemi mund të zgjidhet me bllokadë, me shantazhe dhe me fyerje. Pse me ofendime? Ata edhe sot e kësaj dite na quajnë FIROM e as që thonë ish republika jugosllave por FIROM- një fjalë të sajuar të cilën nuk duhet përdorur sipas asnjë standardi. Kjo është njësoj sikur ne t'i emërtojmë ish provinca otomane e Greqisë. Sa do të ofendoheshin ata nëse kështu I thërrasim? Por ata e dinë se në këtë mënyrë problemi nuk zgjidhet, në këtë mënyrë vetëm largohemi. Është e qartë se në këtë moment ata nuk kanë vullnet politik ta zgjidhim çështjen e emrit andaj edhe imponojnë çështje të këtilla", tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Këto komente kryeministri Gruevski i dërgoi në një tribunë të mbajtur mbrëmë në Manastir para anëtarëve dhe simpatizantëve të VMRO-DPMNE. Gjyltene Rexhallari