POGRADEC - Hedhja e mbetjeve të mineralit hekur-nikel, mbartës të lëndëve toksike pranë banesave në fshatin Memlisht në rrethin e Pogradecit, ka nxitur banorët të ngrihen në një protestë. Ata kanë kërkuar nga firma e panjohur që mbetjet e mineralit të gërmuar në malet e këtij fshati të mos lejohet të hidhen pranë banesave të tyre, apo në breg të liqenit të Ohrit pasi sipas tyre janë mbartëse të lëndëve helmuese dhe kancerogjene. Situata pranohet edhe nga kreu i komunës Udenisht, i cili sqaroi se nga njësia vendore nuk është dhënë asnjë leje apo firmë për lejimin e e hedhjes së mbetjeve të mineralit të hekur nikelit në zonat e banuara. Nga kjo situatë rrezikojnë rreth 4 mijë banorë të fshatit Memlisht në Pogradec, ndërsa sa herë ka reshje shiu lëndët toksike të këtyre mbetjeve derdhen edhe në liqenin e Ohrit, duke rrezikuar gjallesat që jetojnë në të.