TIRANE- Abuzimi korruptiv me fondet e ministrisë së punës dhe Çështjeve Sociale, zbuluar së fundi nga Prokuroria e Tiranës, pas akuzës së një shtetaseje, që ishte e punësuar më parë në atë dikaster, është kryer me ndërmjetësinë e një kompanie, tashmë të njohur si fituese e shumë tenderave të përfolur, si koncerti i Rita Orës, festimet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, etj. Të gjitha këto evente janë përballuar me shpenzime të konsiderueshme nga taksat e shqiptarëve dhe kanë kaluar nëpërmjet dy-tri kompanive.
Në rastin e 1 Majit, që do të mbulohej me një spot të shtrenjtë televizi, fitues është shpallur subjekti MC (Ministry of Communication), në bashkëpronësi të Elvis Themelit, emër i njohur me lidhje të ngushta me krerët e Partisë Demokratike dhe qeverisë së mëparshme.
Themeli zotëron në këtë kompani 50 për qind të aksioneve dhe është bashkëpronar me Driton Sahitin, drejtor marketingu në PTK (postë-telokomunikacionin e Kosovës). Praktikisht, kjo kompani ka shërbyer për organizimin e të gjithë fushatës së Partisë Demokratike, si një zyrë e vërtetë propagandistike e saj.