Imazhet që shihni i përkasin lulishtes në bllokun 91 në lagjen Kinostudio në kryeqytet. Kjo lulishte prej më shumë se një viti duhet të kishte një tjetër pamje por 1.4 miliard lekë të dhëna nga bashkia e tiranës me një kontratë të vitit 2013 vetëm në këtë lulishte nuk kanë përfunduar.
Por si nisi rehabilitimi i Lulishtes?
Sipas faksimiles së siguruar nga ReportTv më 13 Maj 2013 Bashkia njoftonte se fitues për rikualifikimin urban të kësaj lulishteje shpallej kompania ?Bean Shpk? kompani ndërtimi me seli në Fier e Tiranë.
Por cila është kjo kompani?
Referuar faksimiles së Qendrës Kombëtare të Regjistrimit Bean Shpk është një kompani e krijuar në vitin 1998 në Fier dhe deri në vitin 2012 si administrator ka patur Artur Gjojdeshi, i cili njëherazi është dhe vëllai i drejtorit të Ujësellës Kanalizimeve Tiranë Neritan Gjojdeshi, siç shihet dhe në këtë dokument të gjendjes civile.
Punimet për këtë lulishte janë futur dhe ndër broshurat promovues të kompanisë Bean Shpk por në realitet kjo lulishte është ende e papërfunduar, siç për mikrofonin e ReportTv e ngrenë si shqetësim dhe banorët.
Pamjet nuk kanë nevojë për koment, kur stolat e planifikuar për këtë lulishte nuk ekzistojnë dhe të moshuarit kanë gjetur zgjidhje të ulen mbi gurë për një lojë domino.
E ndërsa shatërvani i planifikuar në projektin e fituar nga kompania Bean Shpk është kthyer në një pellg mbeturinash ndërsa pjesërisht ky shesh publik mbahet i rrethuar me tela a thua se është pronë private!
Kur 1.4 miliard lekë janë tërhequr nga firma e vëllait të drejtorit të UKT ajo çka ka mbetur pas është një hapsirë e degraduar ku dhe pusetat janë të pambyllura dhe që rrezikojnë jo pak fëmijët dhe të moshuarit që përdorin këtë hapsirë publike.