Kundër të dyshuarit të shtatë në rastin Monstra, Sami Luta ende nuk është ngritur aktakuzë. Pas arrestimit më 25 gusht kanë filluar hetimet kundër Lutës, i cili dyshohet për mbështetje logjistike që u ka dhënë autorëve të vrasjes së pesëfishtë në liqenin e Smillkovës. Edhe pas 40 ditësh paraburgim, Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës. Avokati mbrojtës Naser Raufi thotë se në seancën e ardhshme gjyqësore Monstra pritet të marrë epilog edhe çështja e Sami Lutës.
"Ende nuk ka aktakuzë, procesi është në stadiumin e hetimit ende. Tash presim prej prokurorisë a do të zgjerohet aktakuza edhe kundër Sami Lutës, apo eventualisht do të shkojë me aktakuzë të veçantë, apo ndoshta edhe sipas mendimit tim ndërprehet hetimi me vendim, pasi unë jam i bindur që nuk ka prova. Si për të tjerët që nuk ka prova, edhe për Sami Lutën nuk ka prova për këtë delikt. Pritet që në seancën e caktuar për të akuzuarit e tjerë, të shohim se a do të zgjerohet aktakuza edhe kundër Sami Lutës", tha Naser Raufi, avokat mbrojtës.
Gjykimi për rastin Monstra do të vazhdojë më 16 tetor. Seanca e fundit u prolongua për shkak të vërtetimit të lidhjes farefisnore mes njërit prej gjykatësve dhe njërit prej avokatëve mbrojtës. Mbrojtja vazhdon të këmbëngul se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme që të dëshmojë se të akuzuarit janë autorë të vrasjes, ndërsa prokuroria kërkon dënim duke u mbështetur në testin e ADN-së, i cili ka rezultuar se njëri nga të akuzuarit ka qenë në veturën e parë në vendin e ngjarjes. Kundërthëniet më të mëdha në këtë proces gjyqësor janë pikërisht rreth veturës, për të cilën njëri nga dëshmitarët e mbrojtjes pohonte se vetura është pronë e policisë. Kundërthënës është edhe vendimi i gjykatës, e cila ka refuzuar kërkesën e avokatëve të mbrojtjes për të vëzhguar nga afër veturën. Benjamin Arifi