STRASBURG - Mosbesimi mes forcave politike "njollosi" mjedisin elektoral gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit. Është ky konkluzioni i raportit të miratuar sot në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, sipas së cilit zgjedhjet parlamentare të këtij viti ishin konkuruese me një pjesëmarrje aktive përmes fushatës elektorale dhe me respekt të plotë për liritë themelore të njeriut.
Por siç thuhet edhe në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni, raporti i përgatitur nga europarlamentari grek, Petros Tatsopoulos dhe i miratuar më pas nga Asambleja, thekson se atmosfera e mosbesimit mes dy forcave politike njollosi mjedisin elektoral dhe se implementimi i legjislacionit elektoral nuk ishte i kënaqshëm duke ndikuar tek besimi i publikut në procesin elektoral.
Në raport thuhet gjithashtu se turbullimet e vazhdueshme mes institucioneve shtetërore dhe interesave partiake, të kombinuara me akuzat e besueshme për blerje të votës dhe presion ndaj punonjësve të sektorit publik, ndikuan negativisht në atmosferën parazgjedhore.
Ndërkaq mbulimi mediatik i procesit elektoral ishte në tërësi pluralist, por pavarësia editoriale nuk është respektuar plotësisht.