Në Rashçe mund të gjenden elemente të kohes antike

alsatmtv 2015-08-21

Views 14

Gjetjet e ndryshme arkeologjike në fshatin Rashçe të Komunës së Sarajit, tregojnë se në këtë vendbanim mund të gjinden elemente të ndryshme të kohës antike dhe asaj parahistorike. Këtë e dëshmon edhe arkeologia e njohur nga Kosova, Exhlale Dobrina Saliu e cila vizitoi këtë fshat për të parë nga afër zbulimet e disa viteve më parë nga banorë të fshatit. Sipas Saliut gjetja e stellave ose ndryshe të njohura si monumente varri tregojnë qartë se në këtë vendbanim ka elemente të ndryshme që i takojnë kohës antike dhe asaj parahistorike.

"Është fjala se në Rashçe edhe përpara janë gjet stella, këto gjetje që janë bërë tash tregojnë se ka gjetje të kohës antike, këto tri stella janë gjet pak më lartë se Rashçja, në periferi me një lokalitet edhe kanë qenë të vendosura, sipas tregimit të pronarit që i ka gjet, anëve të varrit, kjo është e zakonshme është një stellë e kohës romake, ka mbishkrimin dismanibus do të thotë prej fillimit të shekullit të dytë, diku rreth shekullit të dytë dhe të tretë, ende nuk është lexu mbishkrimi komplet", tha Exhlale Dobrina Saliu, arkeologe.

Derisa po vizitonte fshatin Rashcë, arkeologia Saliu u ndal edhe në një pjesë të fshatit ku dyshohet se dikur ka qenë tumë. Mirëpo, sipas Saliut fillimi i gërmimeve arkeologjike do të dëshmojë se në këtë vend kanë jetuar kultura të ndryshme si nga koha parahistorike ilire ashtu edhe ajo romake. Ajo gjithashtu i bënë thirrje institucioneve përgjegjëse që të fillojnë sa më shpejtë me hulumtimet arkeologjike.

"Do të thotë ka elemente të kulturave të ndryshme, do të thotë edhe nga koha parahistorike ilirike edhe të kohës së ardhjes së romakëve. Tash momentalisht jemi para një konfiguracioni të terrenit që flet se duhet me qenë një tumë, mirëpo një tumë që prej vegjetacionit kurrë nuk është punu ka mbet ashtu edhe shumë pak duket kjo mirëpo elementet e saj janë për tumë edhe për atë, në gjendjen që është duhet sa më shpejtë me qenë nën përkujdesje shtetërore dhe përfundimisht duhet të pastrohet tereni, të ndermirën hulumtime, sondazhe që behën në fillim të arkeologjisë e mandej të fillohet me hulumtimet e zakonshme arkeologjike", deklaroi Exhlale Dobrina Saliu, arkeologe.

Arkeologja Exhlale Dobrina Saliu premtoi ndihmë dhe bashkëpunim me institucionet nga Maqedonia me qëllim të zbulimit të elementeve të reja arkeologjike në fshatin Rashce të Komunës së Sarajit. Melihate Rustemi

Share This Video


Download

  
Report form