Gjoba mësimdhënësve që kërkojnë mjete nga nxënësit

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Ministria e arsimit ka ngritur masë disciplinore kundër 13 mësimdhënësve në dy shkolla fillore të Shkupit për shkak se kanë detyruar nxënësit të furnizohen me material plotësues shkollor, si fletore pune dhe materiale të tjera. Kjo është konstatuar nga kontrolli i inspektoratit të arsimit në 120 shkolla në mbarë vendin. Ky detyrim sipas ministrit Spiro Ristovski është kundërligjor. Nga Ministria apelojnë që prindërit të mos bien pre e këtyre detyrimeve dhe të njëjtat t'i paraqesin në Ministri dhe inspektoratin e arsimit.

"Askush nuk guxon të detyroj asnjë prind që të blej fletore pune konkrete, aq më pak me autor të theksuar, me përshkrim të materialit siç është shembulli konkret, thotë lojëra matematikore, e verdhë, me autor të caktuar për klasën e katërt, fletore pune nga autor të caktuar, gjuhë angleze po ashtu me autor të caktuar të fletores së punës dhe për cilën klasë. Kjo është e palejueshme dhe kundërligjore. Kjo praktikë këtë herë do të eliminohet", deklaroi Spiro Ristovski, Ministër i Arsimit.

Ristovski paralajmëroi se ky kontroll do të vazhdoj edhe në periudhën në vijim ndërsa gjoba lëviz prej 10 deri 15 mijë euro për shkollën nëse konstatohet se përdor libra që nuk kanë leje nga Komisioni nacional për libra ndërsa për mësimdhënësit gjoba lëviz prej 5 deri 7500 euro. Gjobë prej 3 deri 5 mijë euro paguan shkolla që lejon shitjen e literaturës profesionale dhe revista për fëmijë ndërsa për personat përgjegjës kjo shkelje kushton prej 1500 deri më 2500 euro.

"Ne këtë proces do ta përcjellim më tej në shkollat konkrete por njëkohësisht paralajmëroj se inspektorët do të vazhdojnë në të gjitha shkollat. Apeloj deri te prindërit dhe qytetarët, ata që janë ballafaquar me një situatë të këtillë të dërgojnë ankesë deri në ministrin e arsimit dhe inspektorati i arsimit ndërsa ne do të veprojmë në bazë të ligjit", tha Spiro Ristovski, Ministër i Arsimit.

Nga viti 2009 shteti siguron librat falas për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme ndërsa deri më tani janë ndarë mbi 30 milion euro. Sa i përket furnizimit me libra shkollor, ministri njoftoi se pjesa më e madhe e librave janë distribuuar dhe se deri tani nuk ka pasur ankesa nga shkollat.

Gjyltene Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form