Në kushte mesjetare sot kanë filluar vitin shkollor rreth180 nxënës të shkollës periferike "7 Marsi" në fshatit Çellopek të komunës së Brvenicës. Ky objekt që më tepër i ngjason një stalle bagëtish e assesi një shkolle nuk posedon as kushtet më elementare për ndjekjen e procesit mësimor, madje ajo rrezikon edhe shëndetin e fëmijëve. Për gjendjen e kësaj shkolle televizioni Alsat informoi edhe para disa ditëve por deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë për përmirësimin e gjendjes. Disa nga prindit që kanë fëmijët e tyre në këtë shkollë shprehen se është kohë e fundit dikush të ndërmerr masa, sepse, në të kundërtën do i ndalojmë fëmijët dhe nuk do i lëshojmë në shkollë.
"Nuk e di si mundë të rrish rehat kur fëmija të shkon me një shkollë në këtë gjendje, por edhe arsimtarët, nuk është veç puna e fëmijëve. duhet ti marrin parasysh këto dhe tu plotësohen kushtet fëmijëve dhe arsimtarëve".
"S'jemi hiç rehat na kanë premtuar që do bëhet po kur do bëhet nuk e di".
Drejtori i kësaj shkolle Ajdin Abdullahu, shprehet se ankesa dhe kërkesa janë bërë disa herë, por përgjigje pozitive asnjëherë nuk është kthyer.
"Kërkuam në ministrinë e Arsimit, konkurruam në projektet kapitale 2009-11, na thanë që do ndërtohet do vazhdohet po ende nuk ka asnjëfarë lëvizje. Janë të njoftuar të gjithë, ministria inspektorati, biroja për Zhvillimin e Arsimit, dhe e dinë se asaj godine shkollore i ka kalu afati, nëse nuk bëhet gjë do i tërheqim në shkollën qendrore po është maltretim për ato fëmijë se mësojnë nga klasa e parë deri në të pestën. Bile klasa e pestë udhëton në shkollën qendrore shkaku se nuk kemi mësonjëtore", deklaroi Ajdin Abdullahu, drejtor i SH. F."7Marsi" Çellopek.
Ndryshe, sot në komunën e Tetovës, viti i ri shkollorë ka filluar në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme pa ndonjë pengesë, ndërsa disa prej shkollave të qytetit i ka vizituar edhe vetë kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi. Bashkim Sulejmani