Arrestimi dhe ngritja e akuzës ndaj Sami Lutën, në kuadër të rastit 'Monstra' përbën vazhdim të gabimeve të shumta në këtë rast. Kështu komenton avokati Naser Raufi, sipas të cilit, hetimi dhe paraburgimi i Sami Lutës janë paushallë, për shkak se nuk kanë asnjë bazë për dyshim. Emri i tij nuk është ndeshur asnjëherë deri më tani, në asnjë transkriptim të rastit 'Monstra'. Raufi theksoi se Prokuroria nuk ka asnjë provë, ndaj asnjë prej të akuzuarve.
"Sa i përket rastit për Sami Lutën nuk ka asnjë lidhje, as që është përmendur, as në hetim e as në proceset kryesore. Mendoj që është një hetim që i bëhet dhe paraburgim paushall pa asnjë bazë dyshimi, kinse siç e lexova unë kërkesën, pasi unë prej sot edhe jam i angazhuar për këtë rast, nga ana e prokurorisë dyshohet se ka qenë në vendin e Smillkovës dhe ka dhënë logjistikë të akuzuarve të tjerë që është e pamundur, kur e di që askush edhe prej tyre nuk ka mundur të jetë fizikisht aty prezent dhe me të vërtetët është për tu habitur se si në këtë moment tash i kujtohet dikujt që ndonjë person tjetër të akuzoj apo të dyshoj për këtë rast", tha Naser Raufi, avokat.
Raufi konsideron se pas këtij momenti të ri, aktakuza duhet të zgjerohet duke përfshirë edhe Sami Lutën. Kështu që seanca e thirrur për në shtator duhet të shtyhet. Kjo nënkupton se Samiu nuk do të ulet në bankën e të akuzuarve, në seancën e radhës. Për këtë pritet të vendosë prokuroria. Pas arrestimit të Sami Lutës, avokati Naser Raufi thekson se mund të ketë edhe arrestime të tjera.
"Tani, sigurisht prokuroria do ta zgjerojë aktakuzën edhe për këtë të paraburgosu. Tani i takon prokurorisë që të veprojnë, dhe të marrë propozime për këtë rast. Unë mendoj se në aktakuzën që është për të tjerët, do të ketë zgjerim edhe për këtë person... Jo, nuk do të thotë se ende është në fazën e hetimit. Ajo mund të ndodhë pasi aktakuza kundër këtij personi, të bëhet e plotfuqishme. Unë besoj se tani, nuk ka më kohë, dhe se seanca duhet të analuhet, për shkak të momenteve të reja... Nuk e di me të vërtetë është e mundshme. Prej fillimit ky rast ka filluar me shumë gabime me shumë dyshime, është e mundshme çdo gjë më është e mundshme", u shpreh Naser Raufi, avokat.
Sami Luta u arrestua të dielën në pikën kufitare të Bllacës në kuadër të rastit 'Monstra'. Pas aksionit të 1 majit, vitin e kaluar, ai nuk është kërkuar asnjëherë nga policia. Për të nuk kishte pasur as fletarreste, pasi Sami Luta ka lëvizur lirshëm brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu emri i 27-vjeçarit Sami Luta nuk është përmendur në asnjë dëshmi lidhur me këtë rast. Gjyltene Rexhallari