Nuk ka asnjë zgjidhje situata e rëndë e shpërthimit të ujrave të zeza në zonën pranë Kompleksit "Dinamo" në Tiranë. Prej ditësh "A1 Report" ka denoncuar situatën, por deri më tani nuk ka patur asnjë reagim. Gazetarja Bora Shahini ka trokitur në disa dyer të ndërmarrjeve në varësi të Bashkisë së Tiranës, por ato kanë qenë të mbyllura.
Ngelet ende pa një zgjidhje problemi i ujrave të zeza tek rruga "Prokop Mima", pranë kompleksit Dinamo në kryeqytet. Që prej së shtunës kur "A1 Report" denoncoi daljen në sipërfaqe në rrugën kryesore të ujrave të ndotur, nuk ka patur asnjë ndërhyrje nga ana e strukturave përkatëse.
Situata ka sjellë shqetësim të madh për banorët e zonës, por pavarësisht kërkesave të vazhduara deri më tani kanë ndeshur vetëm në heshtje.
Për të gjetur zgjidhjen e këtij problem kemi trokitur tek zyra e drejtorit të ndërmarrjes nr. 1 të Bashkisë së Tiranës, por z. Shpëtim Oseku, i vënë në djeni për situatën, na është shprehur se nuk është ndërmarrja e tij kompetente për këtë shqetësim.
Nga sugjerimi i marrë nga z. Oseku për të kontaktuar persona të tjerë për zgjedhjen e situatës, edhe zyra tek Ujësjellës Kanalizimet na është shprehur se s'merren ata me shqetësime të tilla, por ndërmarrja nr. 3.
Drejtuesi i ndërrmarrjes numër 3, i cili gjithashtu nuk ndodhej në zyrën e tij të punës, në ditën e parë të javës premtoi se do të përgjigjet për situatën e rëndë vetëm ditën e martë.
Pas shumë dyersh të mbyllura, shqetësimi i qytetarëve për këtë situatë ngelet ende pa një zgjidhje.