Mungesa e ujit të pijshëm në qytetin e Fushë-Krujës është një problem mjaft shqetësues. Ka të paktn 3 javë që uji mungon në pjesën më të madhe të qytetit, madje dhe kur vjen, uji vjen vetëm pak minuta dhe në katin e parë, pasi nuk ka presion për t'u ngjitur në katet e tjera.
Ndërsa, një numër i madh banorësh, siç theksojnë dhe ata vetë, nuk kanë asnjë pikë ujë që nga dita e zgjedhjeve. Kryesisht mungesën e ujit e vuajnë banorët e lagjes "Bakushe Visha", në qytëtin e Fushë-Krujës.
Banorët janë të detyruar të mbushin ujë nëpër puse, madje dhe këtë kur ua lejojnë, pasi ka edhe raste që nuk i lejojnë, pasi dhe puset kanë ulur nivelin deri në prag të tharjes për shkak të thatësirës.
E gjithë kjo situatë alarmante e mungesës së ujit vjen në një kohë që ujësjellësi që u ndërtua rishtas para 5 vitesh ishte projektuar të furnizonte me ujë këtë qytet për 24 orë pa ndërprerje, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë.
I kontaktuar me telefon, drejtori i Ujësjellësit për Krujën, Xhemali Xhixha, lidhur me këtë situatë tepër shqetësuese të mungesës së ujit thotë se "Janë djegur 3 pompa nga 4 që janë gjithesej. Bashkia ka siguruar fondet për të blerë të reja, por thesari nuk i kalon fondet".
Po kështu, Xhixha shton se "edhe niveli i puseve në stacionin e pompimit ka rënë".
Ndërsa disa banorë shtojnë se një ndër arsyet e mungesës së ujit është se fshatarët vadisin arat me ujë të pijshëm, pasi kanë ndërhyrë në tubacionin kryesor dhe as bashkia e as ndërmarrja e Ujësjellësit nuk marrin asnjë masë.