Banorët e Tetovë nesër rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm nëse vazhdohet me shpërdorimin e tij për larjen e hapësirave publike, oborreve, rrugëve e për çështje tjera dytësore. Kryetarja e komunës, Teuta Arifi ka kërkuar nga banorët që uji të përdoret në mënyrë sa më racionale.
"Kjo nënkupton që ju duhet ta kurseni ujin për pije, pra mos ta shfrytëzoni atë për larjen e hapësirave publike, rrugëve, trotuareve dhe oborreve shtëpiake, sepse jemi të angazhuar maksimalisht që vet të lajmë rrugët me ujë teknik. Edhe një herë apeloj deri te gjithë qytetarët e Tetovës që ti qasen me përgjegjësi më të madhe këtij problemi dhe ti shmangen shfrytëzimit të panevojshëm të ujit për pije që NPK të mund ta mbajë sistemin e ujit në gjendje të rregullt dhe njëkohësisht të punojmë në drejtim të realizimit të një projekti të mirëfilltë që do të sigurojë zgjidhje të qëndrueshme për furnizim të pandërprerë të qytetit me ujë për pije", tha Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
Përndryshe, nëse vazhdohet me këtë avaz, nga komuna e Tetovës shprehen se do pasojnë sanksione.
"Në qoftë se vazhdohet me shfrytëzimin joracional të ujit për pije do të arrijmë në një gjendje të rëndë nga e cila do të na duhen vite për të dalë ndërsa pasojat do ti bartin të gjithë qytetarët pavarësisht se në cilën pjesë të qytetit jetojnë", tha Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
Sipas autoriteteve komunale shpërdorimi i ujit të pijshëm ka marrë përmasa në dy javët e fundit për shkak të temperaturave të larta. Ndryshe nga komuna thonë se janë duke punuar intenzivisht në një projekt për akumulim të ujit i cili do rris sasinë e ujit në rezervuaret e qytetit dhe një herë e përgjithmonë do zgjidhej ky problem shumë vjeçar. Bashkim Sulejmani