Ashtu sikurse politika pushon përgjatë gushtit, edhe Komisioni Hetimor për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit, do të heshttë. Afati kur palët, nuk mund të mos vazhdojnë më lojën e akuzave dhe kundër-akuzave, është 24 gushti, i cili është caktuar në rregulloren e punës së komisionit hetimor, me pajtimin e dy palëve, si dhe nën syrin e Bashkimit Europian. Burime nga brenda komisionit sqaruan se raporti tashmë është gati, por pajtimi i palëve nuk është askund, për firmosjen e tij. Sipas burimit që televizioni ALSAT i referohet, pajtimi duhet arritur doemos brenda 24 gushtit, pasi çdo ditë tjetër pas këtij afati nënkupton dështim të punës së komisionit, e për rrjedhojë, dështim të marrëveshjes politike të 1 marsit, notë negative në raportin e vjeshtës nga Komisioni Europian si dhe rrezikim të mundshëm të rekomandimit për datën e negociatave të Maqedonisë. Gjithmonë sipas burimit tonë, palët partiake do të heshtin gjatë këtyre 2 javëve të ardhshme, dhe duhet të arrijnë doemos pajtimin për konkluzionet e arritura. Bëhet fjalë për 3 pika konkluzionesh por dallimi kryesor për mos firmosjen e tyre është pikërisht pranimi i shkeljes së kushtetutës, gjatë aktit të nxjerrjes jashtë sallës kuvendore të deputetëve dhe gazetarëve. Nga ana tjetër, nga qeveria iu bënë thirrje palëve që të afrojnë sa më shpejtë qëndrimet, lidhur me firmosjen e raportit konkludues të Komisionit hetimor.
"Qeveria si Institucion dëshiron dhe apelon për një qasje të përgjegjshme dhe afrim të qëndrimeve dhe përfundim të procesit, gjë që do të stimulonte integrimet tona. Por kjo është çështje që varet nga partitë politike", u shpreh Aleksandar Gjorgiev, zëdhënës i qeverisë.
Prej ditësh, që nga dorëheqja e kreut të Komisionit Borçe Davitkovski, ekspertët partiak, nga 2 të çdo fronti, pushtetit dhe opozitës, kanë mbetur në qorrsokak mbi miratimin e konkluzioneve. Mbi ngërçin politik të tij nuk ka reagime as nga presidenca, e cila ka përgjegjësinë e monitorimit dhe finalizimit me sukses të punës së komisionit. Semra Jakupi