Draft versioni i marrëveshjes kolektive i cili do të zgjidh dallimet në paga mes artistëve nga qytete të ndryshme të vendit, prej gati 2 vitesh pret pëlqimin e sindikatës së arsimit, shkencës dhe kulturës. Vërejtjet e shumta për këtë çështje i adresohen ministrisë së kulturës nga shumë artistë dhe jo atyre që janë kompetent për zgjidhjen e kësaj çështje, sindikatës. Kështu shprehet për Alsat sekretari shtetëror në ministrin e kulturës Muzafer Bislimi duke komentuar reagimet e një dite më parë të aktorëve shqiptar për diskriminim në paga. Sipas tij, me këtë marrëveshje do të zgjidhet edhe problemi i teatrit shqiptar në Shkup i cili nuk ka nënshkruar marrëveshjen kolektive në vitin 2005.
"Zgjidhja tjetër, zgjidhje sistematike për gjithë institucionet e kulturës me marrëveshjen kolektive e cila është si draft version i përgatitur nga ministria e kulturës mirëpo nuk është ende e negociuar dhe bashkërenditur me sindikatën e arsimit, shkencës dhe kulturës e cila vepron në kuadër të sindikatave të Maqedonisë...Ky draft është nga viti 2011 në veb faqen e ministrisë së kulturës por që të jetë efektiv duhet së pari të pranohet nga ana e qeveris nga ana e ministrisë së financave e cila duhet të siguroj financat dhe të jetë paraprakisht e negociuar dhe e pranuar nga sindikata dhe ministria e kulturës...Kemi pas kërkesa dhe vërejtje nga të punësuarit por jo edhe nga sindikata", tha Muzafer Bislimi sekretar shtetëror në minsitrin e kulturës.
Drejtori i teatrit shqiptar Adem Karaga është në dijeni për draft versionin e marrëveshjes kolektive për të cilin kanë shumë dilema dhe vërejtje.
"Ne po presim zgjidhjen e marrëveshjes kolektive e cila do të bëhet mes sindikatës qendër dhe ministrisë së kulturës dhe në kuadër të asaj vazhde do të duhet të ndërtojmë edhe ne marrëveshjen kolektive... Është draft versioni por nuk është vendimtar... Ne kemi shumë dilema për këtë draft version për nivelimin e rrogave, ne jemi institucion 65 vjeçar gati më, jo më i vogël se institucionet tjera teatrore apo shumë më të vjetër nga institucionet e themeluara apo sapo të themeluara nëpër qytetet e shtetit kështu që Shkupi si do që të jetë është kryeqendër , puna, obligimet dhe angazhimet që kanë këto institucione janë shumë më të mëdha se qendrat tjera", u shpreh Adem Karaga drejtor i teatrit shqiptar në Shkup.
Ndryshe Bislimi dhe Karaga theksuan se rritje të rrogave në institucionet kulturore nuk ka pasur nga viti 2009 ndërsa deklarata e djeshme e ministres Elizabeta Kaneska Milevska për rritjen e rrogave prej 80% ka të bëj me periudhën nga viti 2005-2009. Gjyltene Rexhallari