VMRO-DPMNE dhe LSDM mbeten në qëndrimet e mëhershme përsa i përket vazhdimit të punës së Komisionit hetimor. VMRO-DPMNE madje ka vazhduar afatin 5 ditorë të dhënë javën e kaluar, duke bërë thirrje për vazhdimin e punës së Komisionit, edhe pa kryetarin Davitkovski, pasi kjo çështje nuk ka të bëj me qëllime personale politike por me interesat shtetërore.
"I bëjmë sërish apel LSDM-së që të përfshihet në mënyrë aktive në këtë proces, pasi qëllimi i këtij procesi nuk është që të kënaqë asnjë agjendë partiake apo ndonjë qëllim personal politik, por rezultati përfundimtar i këtij procesi është përmirësimi i efikasitetit të punës së parlamentit dhe reformave të caktuara që duhet të zbatohen, në mënyrë që Maqedonia të prosperojë", tha Ilija Dimovski, anëtar i Komisionit hetimor.
Për LSDM-në, veprimet e tilla të VMRO DPMNE-së përbëjnë shmangie nga përgjegjësia. Sipas opozitës, nëse Komisioni do të duhej të punonte pa kryetar, atëherë ai mund të kishte nisur punën që në 16 mars, kur edhe u përcaktuan anëtarët e Komisionit. Shumica duhet të zgjidhë problemin me kreun e Komisionit, dhe jo të kërkoj fajin tek pala tjetër...
"Manipulimet që shet në publik VMRO DPMNE-ja për punën e Komisionit hetimor, tregojnë qartë se ajo dëshiron t'i shmanget përgjegjësisë për ngjarjet e 24 dhjetorit ...prandaj, iu bëjmë thirrje që të respektojnë marrëveshjen e 1 marsit, e cila monitorohet nga autoritetet e Brukselit... ndërsa përgënjeshtrimi më i mirë iu dha ministrave Besimi dhe Popovski, nga vetë komisionari Fyle. Rekomandimet e tij tregojnë se komisioni duhet të vazhdoj punën, të përcaktojë faktet dhe të nxjerrë përfundimet adekuate, në mënyrë që të shihet nëse ka apo jo shkelje të Kushtetutës", deklaroi Oliver Spasovski sekretar i LSDM.
Nga partia e Gruevskit tani për tani nuk planifikojnë inicimin e ndryshimeve në Ligjin për Kuvendin dhe rregulloren e punës së kuvendit dhe Kodin penal, për të cilat Komisioni hetimor veçmë ka harmonizuar qëndrimet. Këto ndryshime pritet të evitojnë në të ardhme, ngjarje të tilla si ajo e 24 dhjetorit në parlament.
"Nuk mund të komentoj asgjë rreth kësaj çështje. I kam parë shkrimet në media, dhe mund të them se grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së i është përkushtuar procesit dhe shpreson në vazhdimin e punës së komisionit", u shpreh Ilija Dimovski, anëtar i Komisionit hetimor.
Nga partia e Gruevskit shprehën keqardhje për ndryshimin e qasjes së LSDM-së, nga ajo fillestarja mbi punën e Komisionit. VMRO kujtoi se kjo çështje është me rëndësi madhore për shtetin dhe se çdokush duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij. Gjyltene Rexhallari