Takimi Gruevski-Zaev mund të hap një faqe të re në marrëdhëniet 'pushtet-opozitë'. Analistët politik e cilësojnë si pozitiv uljen në tryezë të përbashkët të dy liderëve të partive më të mëdha në pushtet dhe opozitë, VMRO DPMNE dhe LSDM. Sipas Jove Kekenovskit ky takim nuk duhet të shikohet thjesht si kurtuazi, por një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të kulturës politike dhe mirëbesimit mes partive politike.
"Takimi i djeshëm mund të cilësohet si një nga hapat më të mirë dhe më të guximshëm të kryeministrit Gruevski për sa i përket shmangies së mosbesimit që ekzistonte mes liderëve të partive politike si dhe në aspekt të ndërtimit të mirëbesimit dhe arritjes së marrëveshjes rreth interesave strategjike kombëtare të Maqedonisë. Nga deklaratat e liderëve pamë se bëhet fjalë për një takim konstruktiv, ku pas keqkuptimeve disa mujore, do të zgjidhet kryetari i Komisionit hetimor. Kjo i duhej Maqedonisë, pra të kapërcehej armiqësia personale mes liderëve të partive politike, përfundimisht të mbi ndërtohej kultura politike dhe Maqedonisë i duhej dialog mes partive politike", tha Jove Kekenovski, analist.
Sipas analistit Albert Musliu, takimi i djeshëm Gruevski-Zaev duhet të shërbejë madje si shembull edhe për krerët e partive politike shqiptare. Sipas Musliut liderët shqiptarë duhet të kapërcejnë egon personale dhe të ulen në tryezë të përbashkët kur janë në pyetje interesat e shqiptarëve.
"E shoh si diçka pozitive dhe si diçka që duhet t'i motivojë liderët e partive politike shqiptare, që këto takimi t'i shohin si normale dhe jo të përballen përmes mediave. E shoh si pozitive dhe nëse vazhdojnë sepse ky mund të jetë si takim fillestar dhe ata të vazhdojnë me avazin e vjetër , por nëse vazhdojnë uroj që takimet e tilla të jetë më të shpeshta me qëllim që së paku niveli i debatit politik të evropianizohet dhe të zbuten tonet", u shpreh Albert Musliu, analist.
Formimi i Komisionit hetimor, ashtu siç paralajmëruan Gruevski dhe Zaev pas takimit të djeshëm, sipas analistëve do të jetë tregues më i mirë për vendosjen e një dialogu politik të qëndrueshëm kur bëhet fjalë për çështjet me interes të lartë kombëtar. Zaev pas takimit me kryeministrin Gruevski bëri të ditur se Komisioni hetimor përfundimisht do të formohet brenda 3 apo 4 ditësh. Megjithatë Alsat mëson se gjatë takimit të djeshëm përveç listës së ekspertëve ndërkombëtarë që ka përgatitur delegacioni i BE-së në Shkup, Gruevski ka kërkuar që palët të shqyrtojnë edhe një herë mundësinë që në krye të Komisionit të emërohet ekspert i brendshëm. Semra Jakupi