VLORË - Ish-presidenti i vendit, Alfred Moisiu jep alarmin se zgjedhjet e 23 qershorit janë në rrezik.
Nga porti i Orikumit në Vlorë, i ftuar në përvjetorin e Republikës italiane, Moisiu e ka komentuar situatën parazgjedhore "pesimiste", "shumë të ashpër", pasi sipas tij "KQZ nuk mund të funksionojë me 4 anëtarë, sepse kësisoj ajo është e njëanshme dhe e pabesueshme".
Ish-presidenti kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të Presidentit të Republikës. "Bujar Nishani të marrë rolin e arbitrit për politikanët kryeneçë".
Ish-presidenti, i njohur për qëndrimet e tij të vendosura, u shpreh nga Vlora, se "këto zgjedhje kanë një rëndësi vendimtare për vendin, ndaj kërkohet emancipim i elektoratit shqiptar, i cili duhet t'i kërkojë llogari politikanëve për çfarë kanë bërë për popullin përgjatë këtyre viteve".