SHGM: Pr/Ligji për mediat bie ndesh me BE-në

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Propozim/ligji për mediat, përkatësisht një pjesë e zgjidhjeve që ofron ai, janë në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit Evropian. Kështu thuhet në ekspertizën e Peter Noorlander, e porositur nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. Sipas analizës së ekspertit ligjor Noorlander, propozim ligji i ri për mediat duhet të tërhiqet dhe duhet të përgatitet një version i ri, pasi ai është propozuar pikërisht në kohën kur Maqedonia po shënon një trend të rënies së lirisë së shprehjes.

"Propozuesi i këtij ligji si duket e ka humbur qëllimin të cilit i referohet miratimi i këtij ligji. Ky ligj është në kundërshtim të thellë me standardet evropiane, prandaj ne mendojmë se gjëja më e mirë që mund ta bëjë Qeveria është ta tërheq atë dhe në procedurë qeveritare të heq dorë nga ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për veprimtari radio-difuzive me të cilat do të inkorporohet direktiva evropiane për shërbimet audio-vizuale", u shpreh Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Kryetar i SHGM-së, Naser Selmani thotë se eksperti ligjor për media, Peter Noorlander vetëm ka konfirmuar vërejtjet e gazetarëve të Maqedonisë, të cilët deri tani trumbetonin të njëjtën gjë.

"Për të është e kontestueshme që këto ndryshime radikale të legjislacionit që rregullojnë punën e medias të bëhen në kushte kur në Maqedoni ka një trend të rënies së lirisë së shprehjes. Eksperti konteston idenë e propozuesit të ligjit për të rregulluar të gjitha mediat radio-difuzive, të shtypit dhe të internetit. Eksperti vlerëson se ky nuk është standard evropian. Të gjitha format e medias janë të ndryshme për nga karakteri i tyre dhe përfshirja e tyre në një legjislacion të përbashkët mund të shkaktojë probleme gjatë zbatimit të ligjit", tha Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Sipas ekspertizës së Peter Noorlander problem kryesor në këtë propozim/ligj të ri për mediat është formimi i një Agjencie të re, e cila duhet të kontrollojë jo vetëm punën e mediave elektronike, por edhe të atyre të shtypura dhe të internetit edhe përkundër faktit se mediat e lartpërmendura nuk funksionojnë në mënyrë të ngjashme. Noorlander përmend edhe mënyrën e funksionimit dhe financimit të shërbimit publik MRTV. Nga ana tjetër kryetari SHGM-së, Naser Selmani përsëriti edhe njëherë se vërejtjet më të mëdha lidhur me propozim ligjin e ri për mediat, gazetarët i mbështesin tek fakti se Qeveria po tenton të miratojë një ligj për media, për të cilin nuk janë pyetur gazetarët, si dhe për faktin që në të janë inkorporuar vetëm aktet e rregullativës evropiane, që kanë të bëjnë me kufizimin e lirisë së shprehjes. Valmir Kuçi

Share This Video


Download

  
Report form