Pas vërshimeve të para pesë ditëve në Radiovcë të komunës së Bërvenicës sot autoritetet kanë nisur aksionin e pastrimit të lumit të fshatit, por ata janë përballur me daljen e tij nga shtrati si pasojë e derdhjes në të të ujërave të Sharrit që duhej të përfundonin në liqenin e Mavrovës. Kreu i Komunës i Komunës, Enver Pajaziti thotë se po punohet për zgjidhjen e problemit.
"Sot niveli i ujit ka ra pas një intervenimi që bëmë tek drejtori rajonal i ELEM në Gostivar sepse u konstatua se ujërat që vijnë janë të kanalit që çon ujërat e Sharrit në Mavrovë. Sot jan me ne edhe drejtuesit e drejtorisë për Menaxhim me Kriza dhe morëm vendim të angazhojmë ndonjë kompani me makina adekuate për të bërë pastrimin e shtratit të lumit", deklaroi Enver Pajaziti, kryetar i komunës së Brvenicës.
Megjithatë, Pajaziti thotë se aksioni i sotëm do të rezultojë vetëm me një zgjidhje të përkohshme të problemit pasi për mbylljen e problemit nevojitet zgjerimi i shtratit dhe muret mbrojtëse.
"Kjo që bëjmë tani është vetëm preventivë. Për ta zgjidhur tërësisht duhet rregulluar shtrati i lumit, duhet angazhuar një shtëpi projektuese për të bërë projektin që do e zgjidhte një herë e për gjithmonë. Kjo situatë na përsëritet kohë pas kohe dhe dëmet që shkakton kjo situatë janë më të mëdha se sa rregullimi i shtratit një herë e përgjithmonë", tha Enver Pajaziti, kryetar i komunës së Brvenicës.
Banorët të revoltuar, as që duan të flasin para kamerave, pasi siç shprehen reagimet e tyre në vazhdimësi hasin në vesh të shurdhur .
"Banorët e fshatit Radiovcë as që duan të dalin para kamerave sepse, siç thonë ata e njëjta gjë ka ndodhur në vitin 2009 , madje më e madhe , megjithatë ende qeveria nuk i ka dëmshpërblyer ata për vitin 2009 e lere më të kenë shpresa për vërshimet e tanishme që bënë dëme të mëdha siç edhe mundë ti shihni në prapavijë time".
Përndryshe, nga vërshimet e pesë ditëve më parë, në këtë fshat u dëmtuan 300 hektarë tokë dhe u vërshuan dhjetëra shtëpi. Bashkim Sulejmani