Komisioneri për Zgjerimin i BE-së, Stefan Fule, ka përshëndetur nëpërmjet ekranit popullin shqiptar me rastin e 9 Majit, Ditës së Europës. "Duke dëgjuar pikëpamjet e popullit shqiptar në konferencën "Vetëm Bashkimi Europian", unë jam më i bindur se kurrë se ajo që do populli shqiptar është Europa", ka thënë ndër të tjera Fule, duke shtuar se "integrimi europian do të prodhojë përmirësime të mëdha, duke përmirësuar në mënyrë radikale cilësinë e jetës së njerëzve".
MESAZHI I FULE:
Të dashur miq,
Vetëm pesë javë më parë unë erdha në Tiranë për konferencën 'vetëm Bashkimi Europian". Unë u preka nga pritja e ngrohtë që më dhanë qytetarët shqiptarë dhe nga diskutimi i gjallë që patëm mbi të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Euopian.
Sot, në Ditën e Europës, kur ne jemi duke festuar parimet dhe qëllimet themeluese të Europës, unë po ju drejtohem sërish për t'iu siguruar se unë besoj fort se vendi i Shqipërisë është në Europë.
Zhvillimet në Bashkimin Europian i kanë mundësuar popujve të tij të gëzojnë një periudhë të pashembullt paqeje dhe prosperiteti.
Megjithë vështirësië e fundit, Europa mbetet një burim frymëzimi me vlerat e saj, me standardet e saj të jetesës, edhe në rastin e zgjerimit, po kështu, me fuqinë e saj transformuese, duke sjellë reformat dhe ndryshimet e nevojshme për arritjen e standardeve europiane në të gjitha fushat e jetës.
Integrimi europian do të prodhojë përmirësime të mëdha jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe në menaxhimin e shëndoshë financiar, por edhe për mbrojtjen sociale e perspektivat e punësimit, në sigurinë ushqimore dhe mjedisin, duke përmirësuar kështu në mënyrë radikale cilësinë e jetës së njerëzve.
Duke dëgjuar pikëpamjet e popullit shqiptar në konferencën "Vetëm Bashkimi Europian", unë jam më i bindur se kurrë se ajo që do populli shqiptar është Europa dhe se është entuziazmi dhe motivimi i popullit shqiptar që do të çojë Shqipërinë përpara në rrugën e saj të integrimit europian.
Ne jemi të angazhuar për t'ju ndihmuar, që të veproni për aspiratat tuaja europiane.
Shumë faleminderit!
Stefan Fule