Kryetari i Kuvendit Ilir Meta nisi sot një vizitë dy ditore zyrtare në Suedi ku gjatë takimeve ai ka marrë mbështetjen e autoriteteve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, nëse Shqipëria vijon që të ecë në rrugën e reformave të duhura.
Gjatë një takimi në Ministrinë e Drejtësisë dhe Migracionit me Sekretarin e Shtetit Lars Westbratt, Meta dhe Westbratt diskutuan mbi situatën e fundit të lëvizjeve migratore dhe azil kërkuesve në vendet e Bashkimit Evropian, duke ndarë bindjen se kjo krizë e paprecedentë e refugjatëve, e cila ka prekur si rajonin e Ballkanit ashtu edhe vendet si Suedia, po sfidon vlerat e solidaritetit evropian.
Sekretari i Shtetit Westbratt theksoi se Suedia është avokate e fuqishme e zgjerimit të BE, mbështetje e cila do të vazhdojë, edhe pse numri shumë i madh i azilkërkuesve nga lindja e mesme gjatë vitit të fundit, e ka vendosur BE-në përballe sfidave që kërkojnë një përqasje të përbashkët evropiane.
Duke shprehur mirënjohjen për rolin pozitiv që Suedia luan brenda Bashkimit Evropian pro zgjerimit, Meta konfirmoi se Shqipëria mbështetet tek përkrahja e fortë suedeze dhe në këtë kontekst Kuvendi është i vendosur të inkurajojë përshpejtimin e reformave që kërkon integrimi evropian i vendit, veçanërisht asaj në sistemin e drejtësisë, reformë e cila duhet miratuar pa vonesa përmes konsensusit dhe bashkëpunimit të përgjegjshëm politik, në koordinim me partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë.