TIRANE -"Shqipëria ka nevojë të çlirohet prej disa figurave politike dhe i pari që duhet të shkojë dhe ta çlirojë Shqipërinë, është Kryeministri Sali Berisha. Ky ishte gjykimi i akademikut Rexhep Qosja, i ftuar sonte në studion e tv. "A1Report!" për të komentuar zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe në Kosovë.
"Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Shqipëria ka nevojë për alternativë. Shqipëria ka nevojë të lirohet prej disa figurave politike", - tha Qosja. - "10 vjet, 15 vjet, 20 vjet, 22 vjet janë shumë. Tiranët, despotët, diktatorët mbesin aq gjatë në pushtet. Është koha e fundit, janë çastet e fundit, që disa njerëz të shkojnë prej politikës. T'u krijohet hapësirë njerëzve më të rinj. I pari, që duhet të shkojë, që është e nevojshme të shkojë, që është e nevojshme ta çlirojë Shqipërinë, prej sjelljeve, veprimeve, ideve, mendimeve, gjesteve, fjalëve, gjuhës politike të tij është kryeministri Sali Berisha. ", - theksoi akademiku.
Lidhur me zhvilimet e fundit politike në Shqipëri, Qosja tha se "ato krijojnë ndjenja negative, që mund të perceptohen negativisht prej faktorëve ndërkombëtarë dhe mund të kenë pasoja që do t'i shohim më vonë. Nuk jam i sigurt se largimi në mënyrë të paligjshme i anëtarëve të LSI nga KQZ-ja, siç u bë, tregon se mund të shkohet normalisht deri në 23 Qershor; ai që bëri këtë, bëri dhe diçka tjetër e mund të bëjë dhe diçka tjetër, që mund të bëhet pengesë për zgjedhjet, mund t'i kompromentojë ato.
Nuk e them unë, por teoria politike e demokracisë këtë. Populli duhet të vendosë, populli duhet të kuptojë se ç'ka po thotë e po bën dikush dhe të reagojë në mënyrë të organizuar dhe kolektive dhe të mos pranojë ato që po bëhen në prag të zgjedhjejeve. Me shqetësim, unë po shikoj manipulimin e disa të rinjve, shikoj që ai i thërret dhe ata e duartrokasin lehtë, pajtohen lehtë. Mirëpo as nuk mund t'i duatrokasim, as nuk mund t'i buzëqeshim në këto kushte".
I pyetur për çështjen aq shumë të përmendur të "bashkimit kombëtar" me Kosovën, akademiku Qosja tha: "Kjo është një çëshje e rëndësishme në politikën shqiptare, që s'mund ta shohim më si e kanë parë dikur rilindasit. Koncepti i bashkimit kombëtar nuk ka më përmbajtjen që kish dikur, në kohën e Rilindjes dhe më 28 Nëntor, kur Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi e të tjerë shpallën Pavarësinë e Shqipërisë etnike. Çështja e bashkimit shqiptar ka një përmbajtje tjetër. Nuk mund të flitet siç foli Kryeministri shqiptar. Ne kemi të drejtën të vendosim të bashkohemi dhe për këtë ne kemi të drejtë të flasim hapur, madje ta bëjmë çështje, por për çështjen e bashkimit kombëtar, patriotizmit shqiptar i duhet të një masë. Se pa atë, ne kompromentojmë atdhetarizmin tonë", - përfundoi ai.