SHBA: 'Koreja e Veriut po i afrohet vijës së kuqe'

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Pas kërcënimeve me luftë, prej më shumë se 1 jave, situata në gadishullin korean po bëhet gjithnjë e më e tendosur. Të paktën një raketë balistike në bregdetin lindor të Koresë së Veriut është vendosur në pozicion, në strukturën lançuese. Lajmi është njoftuar nga Ministria Japoneze e Mbrojtjes, duke iu referuar të dhënave të zbulimit hapësinor. Lajme identike vijnë edhe nga komanda ushtarake në Seul, kurse Uashingtoni, njoftoi se ushtria amerikane është e gatshme t'i përgjigjet çdo lëvizje që mund të marrë regjimi komunist i Koresë së Veriut. Koreja e Veriut po i afrohet "vijës së kuqe", tërhoqi vërejtjen Pentagoni.

"Koreja e Veriut, me retorikën dhe veprimet e saj agresive po afrohet shumë shpejt tek vija e rrezikshme. Veprimet dhe deklaratat e tyre nuk ndihmojnë në uljen e tensionit nga situata kritike", tha Çak Hagel, Sekretar amerikan i mbrojtjes.

Një situatë e tensionuar është edhe në Seul. Autoritetet jug-koreane shpallën gjendjen e jashtëzakonshme dhe i bënë sërish thirrje Phenianit të heqë dorë nga armët dhe të pajtohet për negociata të përbashkëta.

"Qeveria jonë ankohet që Koreja e Veriut vazhdon të kërcënojë dhe të na provokojë, edhe neve edhe komunitetin ndërkombëtar. I bëjmë thirrje Koresë së Veriut që të mos krijojë krizë në gadishull dhe të bjerë dakord të ulemi në tryezën e bisedimeve", tha Rio Kil Xhaj, përfaqësues i Qeverisë së Koresë së Jugut.

Ndërkaq, në Korenë e Veriut nuk ka tensione, transmetojnë agjencitë e lajmeve. Gazetat nuk shkruajnë për lëshimin e mundshëm të raketave balistike, kurse misionet e huaja diplomatike dhe zyrat e organizatave humanitare ndërkombëtare punojnë si më parë. Pheniani po përgatitet të shënojë 15 prillin, Ditën kur vendi feston festën kryesore kombëtare - përvjetorin e lindjes së "presidentit të parë dhe presidentit të përjetshëm" Kim Il-Sung, gjyshit të liderit aktual të kombit. Petar Bllazhevski

Share This Video


Download

  
Report form