Deklarata e një dite më parë e kryeministrit Greuvski se edhe pas dhjetorit, në Maqedoni dielli do të lind sërish, dëshmon shpërfillje të vendimeve të Bashkimit Evropain. Profesorët e të Drejtës Ndërkombëtare Denko Maleski dhe Bekim Kadriu vlerësojnë se kryeministri Gruevski betonoi qëndrimin e tij se nuk heq dorë nga vijat e kuqe, megjithë çmimin e integrimeve evropiane.
"Një qasje e tillë e kryeministrit tregon që ai realisht nuk sheh ndonjë shpresë në Samitin e BE-së që do të mbahet në dhjetor pra muajin e ardhshëm, me siguri Samiti dhe vendimi në Samit do të jetë përsëritje e vendimeve paraprake tani më disa vite me radhë dhe Maqedonia me siguri nuk do të marrë datën për fillimin e negociatave. Deklarata nuk është fare e çuditshme është përsëritje e një qëndrimi konstant dhe jo fleksibil drejt zgjidhjes së kontestit me Greqinë", tha Bekim Kadriu, analist.
"Kryeministri deshi të demonstronte një mospërfillje ndaj vendimeve të BE-së duke e ditur se me veton e Greqisë nuk do të marrë datë për fillim e bisedimeve. Megjithatë dielli do të lindë për të gjithë të tjerët por për ne do të jetë pak më problematik pasi ne vazhdojmë të ngecim në reforma...në kohën që të gjithë bëjnë hapa përpara në drejtim të integrimeve evropiane. Deklarata për opinionin e brendshëm do të thotë se nuk pritet asgjë e rëndësishme të ndodhë në skenën politike të Maqedonisë, ndërkaq për opinionin e jashtëm, se ne njësoj e kemi, edhe nëse BE-ja nuk arrin dot të ballafaqohet me kërkesat e Greqisë, dhe se ne do të vazhdojmë të lëvizin në të njëjtin drejtim", u shpreh Denko Malevski, profesor i të drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë për Maleskin dhe Kadriun, dështimi i radhës i Maqedonisë në procesin e integrimeve nuk do të jetë pa pasoja për stabilitetin e vendit. Pas dhjetorit, si skenarë të mundshëm, profesorët shikojnë zgjedhjet e parakohshme si pasojë e lëkundjes së marrëdhënieve mes partive madje edhe të koalicionit qeveritar.
"Mungesa e elementit kyç të demokracisë, dialogut ndaj të cilit insistojnë partnerët e huaj, përbën handikap të madh për politikën e Maqedonisë. Nëse politikanët do të dinin të bisedonin, pra maqedonas e shqiptarë, pushtet-opozitë dhe të ndërtonin një strategji për këtë çështje, atëherë nuk do të duhej të shqetësoheshim për stabilitetin e brendshëm. Megjithatë, paaftësia e tyre për të biseduar dhe të ndërtojnë strategji shtetërore, lë hapësirë që ky problem i politikës së jashtme të ndikojë brenda në marrëdhëniet mes politikanëve, madje dhe brenda koalicionit qeveritar", deklaroi Denko Malevski, profesor i të drejtës ndërkombëtare.
Megjithatë për Kadriun, zgjedhjet e parakohshme nuk do të ishin zgjidhje e qëndrueshme për kapërcimin e problemeve politike në vend.
"Keni parasysh se zgjedhjet e parakohshme shumë shpesh çojnë në destabilizim të sistemit juridik dhe politik. Ka aspekte financiare, gjithashtu andaj rejtingu dhe legjitimiteti i partive politike në terren është i njejtë prandaj parashtrohet pyetja për çfarë zgjedhje të parakohsh...