Fondi i Filmit të Maqedonisë ka vendosur të përkrahë financiarisht disa filma në gjuhën shqipe. Një film artistik, dy filma me metrazh të shkurtër dhe tre filma dokumentarë do të financohen nga ky institucion. Sipas regjisorëve shqiptarë konkurrues, ky vendim është miratuar mbrëmë pas reagimit të tyre në televizionin Alsat M. Ata dhanë alarmin se këtë vit Fondi i Filmit do të anashkalonte projektet shqiptare. Megjithatë, drejtori i Fondit të Filmit Darko Basheski theksoi se as ka ndodhur, e as do të ndodhë që filmat shqiptar të mos financohet, përveç atyre që nuk plotësojnë kushtet e parashikuara në konkurs.
"Dje dëgjova komente se në këtë konkurs nuk do të përkrahet asnjë film në gjuhën shqipe. Ajo as ka ndodhur deri më tani, nuk do të ndodhë asnjëherë, përveç rasteve nëse nuk paraqitet askush, ose nëse paraqiten me nga një fletë, siç kemi projekte me nga një faqe përshkrim. Normalisht, në atë rast nuk mund të merret projekt", tha Darko Basheski, drejtor i Fondit të Filmit.
Fondi i Filmit do të financojë gjithsej 6 filma shqiptar. Mes tyre është filmi artistik "Manifaktura" nga Osman Demiri dhe Kushtrim Bekteshi. Nga filmat me metrazh të shkurtër është "Oda" e regjisorit Sabedin Selmanit, dhe "Te burimi" nga Sabedin Ali. Do të financohen edhe të tre dokumentarë në gjuhën shqipe; "Muzika dhe liqeni" nga Besfort Imami, "Rezistenca e fundit e plakut" nga Arben Thaçi si dhe, "Pse unë" nga Senad Abduli.
Drejtori Basheski theksoi se nga viti 2008 deri në vitin 2012, për projekte shqiptare janë ndarë rreth 1 milion e 400 mijë euro. Benjamin Arifi