Bruksel, debati për buxhetin evropian

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Pas dështimit në nëntor të vitit të kaluar, shefat e shteteve dhe të qeverive po tentojnë të gjejnë një marrëveshje për buxhetin e BE-së, për 7 vitet e ardhshme. Megjithatë, para fillimit të takimit dy-ditor duket se qëndrimet janë ende të largëta. Një pjesë e vendeve të pasura nga veriu i BE-së, midis të cilëve edhe Gjermania, vazhdojnë të këmbëngulin në shkurtimin e mëtejshëm të buxhetit. Ata mbrojnë qëndrimin e tyre, me argumentin se -- meqenëse kursehet në nivel kombëtar, duhet që edhe në nivel evropian, buxheti i përbashkët të zvogëlohet. Ndërkaq, pjesa tjetër mbrojnë qëndrimin se politika e kursimit në vendet e varfra të jugut, la shumë të papunë, kështu që buxheti evropian duhet të përdoret për investime dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Njëri prej përfaqësuesve të këtij grupimi është presidenti francez Fransoa Oland. Fill para samitit, ekspertët ekonomikë shpresojnë se do të ketë një përfundim pozitiv, në të kundërtën, ekonomia evropiane do të komplikohej akoma më rëndë.

"Nëse edhe ky takim përfundon pa marrëveshje, do të befasohem shumë, por edhe do të shqetësohem. Kjo do të thotë anulim i sërishëm i bisedimeve. Sa më shumë që të zvarritet çështja, aq më vështirë do të jetë për arritjen e marrëveshjes", tha Janis Emanulidis, analist ekonomik.

"Buxheti është forca lëvizëse për rritjen dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Për këtë duhet të investohen fonde shtesë në arsim dhe në aktivitete kërkimore", u shpreh Herman Van Rompuj, President i Këshillit Evropian.

Van Rompuj në samitin e fundit të tillë, propozoi që buxheti i ardhshëm shtatë-vjeçar i BE-së të arrijë në 972 miliardë euro, që përbën 1 për qind të të ardhurave bruto në Bashkimin Evropian. Por, nëse në këtë buxhet janë futur edhe programet jashtë buxhetore, siç janë programi për kërkime hapësinore dhe tatimet për Reaktorin Eksperimental Termo-bërthamor Ndërkombëtar, atëherë propozimi i president të Këshillit rritet deri në 1 trilion euro, që përbën 80 miliardë më pak se propozimi i Komisionit Evropian. Petar Bllazhevski

Share This Video


Download

  
Report form