Fjalimi i ashpër i presidentit Gjorge Ivanov në Munih të Gjermanisë është i gabuar, i panevojshëm dhe si i tillë shërben vetëm për përdorim të brendshëm. Kështu komentojnë për Alsat, Stevo Pendarovski dhe Albert Musliu fjalimin e presidentit. Sipas tyre derisa kritikohet njëra palë është e ndershme që të kërkohen edhe dobësitë e vendit drejt këtyre aspiratave. Fjalimet e tilla nuk janë risi por praktik që dëgjohen gjatë dy viteve të fundit nga presidenti Ivanov, thekson Pendarovski.
"Ai është fjalim për përdorim të brendshëm politik dhe ju bind se ai fjalim me asnjë tezë nuk do i interesoj kompetentët në Bruksel apo Munih. Ai fjalim është për elektoratin e brendshëm eventualisht këtu dikush të thotë se presidenti ynë u tha në sy këtyre të NATO-s çfarë mendon për ta dhe kjo është mirë. Ndryshe nëse i keni parasysh perspektivat strategjike dhe angazhimet e këtij vendi ju një fjalim të tillë me siguri nuk do të mbanit... Më habit fakti, nëse insistoni se faji është vetëm në palën tjetër, pse ne muajt e fundit sërish negociojmë me ta, pse thjeshtë nuk i refuzojmë ato negociata. Negociojmë pasi e dimë kriterin të shënuar në konkluzat e Bukureshtit", tha Stevo Pendarovski, profesor universitar.
Albert Musliu nga ana tjetër e cilëson si të panevojshme retorikën e presidentit Ivanov veçanërisht tani kur ka lëvizje në drejtim të zgjidhjes së çështjes së emrit që paraqet një nga pengesat kyçe për integrimin e vendit. Me retorikë të tillë, thekson Musliu nuk mund të frikësohet NATO e BE dhe as nuk i detyron që të plotësojnë dëshirat e Maqedonisë.
"Ne si shtet i vogël kemi obligim dhe mundësi që t'i realizojmë aspiratat tona vetëm nëpërmjet krijimit të miqësive dhe bindjes së anëtarëve edhe të NATO-s dhe të BE për përfitimet që mund t'i ketë rajoni me anëtarësimin tonë por gjithsesi jo me retorikë të ashpër dhe nga ana tjetër kjo retorik vjen në momentin kur deri diku kemi ndonjë zhvendosje ose lëvizje në negociata në KB së paku sipas deklaratave të Nimicit ashtu që e shoh si një retorik të gabuar dhe të panevojshme. Këtë retorik mund ta përdorin strukturat civile, qytetar por zyrtarët më të larët janë të obliguar dhe kanë për detyrë që të përdorin retorik zbutëse ose miqësore", deklaroi Albert Musliu, analist.
Me fjalime të tilla nuk humbin vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së por humb vetëm Maqedonia, theksojnë Pendarovski dhe Musliu duke shtuar se zgjidhja e çështjes së emrit është një nga kushtet kryesore për anëtarësim të vendit në strukturat euroatlantike e definuar para 5 vitesh në Samitin e Bukureshtit. Ndryshe, presidenti Ivanov në fjalimin e tij në Munyh tha se BE-ja është e padrejtë kur vendos kushte shtesë për Maqedoninë dhe vendet e reja në përgjithësi. Për sa i përket NATO-s, Ivanov tha se ajo ka shënuar rekord 'gines' duke mos e anëtarësuar, në një kohë që Maqedonia me reformat dhe pjesëmarrjen me misionet e saj, bart të njëjtat detyrime dhe rreziqe në këtë aleancë. Gjyltene Rexhallari