'Shqipja në Ujësjellës', Aliu e Saiti heshtin por marin nga 150 euro në muaj

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Alajdin Aliu dhe Sefer Saiti, dy anëtarët shqiptarë të Këshillit Drejtues në Ndërmarrjen Publike 'Ujësjellësi dhe Kanalizimi' edhe sot nuk deshën të prononcohen, para kamerës së Televizionit ASLAT-M për të sqaruar çfarë pune bëjnë në këtë ndërmarrje dhe si i mbrojnë interesat e atyre të cilët ata i përfaqësojnë aty.

Anëtarët në fjalë pretendojnë se materialet i marrin në gjuhën shqipe, por seancat sipas tyre nuk kanë insistuar të jenë edhe shqip pasi që ajo do t'ju merrte shumë kohë. Nëse seanca mbahet vetëm në gjuhën maqedonase, ajo do të zgjaste 3 orë, por nëse ajo ka edhe përkthim në gjuhën shqipe, ajo do të zgjatë 6 orë.

Siç mëson ALSAT-M, anëtarët e Këshillit Drejtues të Ndërmarrjes Publike 'Ujësjellësi dhe Kanalizimi' paguhen në mënyrë paushalle në vlerë prej 9 mijë denarëve, gjegjësisht 150 euro, që si duket janë të mjaftueshme që ata të jenë vetëm figura brenda Këshillit Drejtues të Ndërmarrjes Publike 'Ujsjellësi dhe Kanalizimi'.

Ndërkohë dy ditë më parë, Ilaz Bajrami, anëtari i Këshillit Mbikëqyrës në Ndërmarrjen Publike 'Ujësjellësi dhe Kanalizimi' u bëri thirrje kolegëve të tij, në këshillin drejtues, që t'i bashkëngjiten në iniciativën e tij për zbatimin e shqipes në këtë institucion. Jo vetëm kaq, por Bajrami, u bëri thirrje edhe qytetarëve që të refuzojnë faturat e Ujësjellësit që u vijnë vetëm në maqedonisht dhe ato ti kërkojnë edhe në shqip.

"Me keqardhje them pse ata nuk dalin të deklarohen ose të bisedojnë, se neve dikush atje na ka dërguar që t'i mbrojmë interesat e qytetarëve. Neve na u dha rasti tani përmes ekipit të Alsatit. Falënderoj edhe ekipin e Alsatit që insistoi të zbulohen disa gjëra për të cilat kemi hasur në vesh të shurdhër deri më sot. Kisha apeluar deri te qytetarët e Republikës së Maqedonisë, sidomos te popullata shqiptare që i tangon, faturat që do të vijnë muajin e ardhshëm të mos i pranojnë përderisa nuk bëhen në dygjuhësi. Nuk kisha thënë të mos i paguajnë, doemos duhet të paguhen, por deri sa nuk bëhet dygjuhësia në ato fatura të mos i pranojnë", deklaroi kohë më parë Ilaz Bajrami, anëtarë i Këshillit Mbikëqyrës NP'Ujësjellësi'.

Alajdin Aliu dhe Sefer Saiti edhe sot premtuan se nesër për kur edhe është caktuar mbledhja e Këshillit Drejtues të Ndërmarrjes 'Ujësjellësi dhe Kanalizimi' do të prononcohen për ALSAT-M.

Rikujtojmë se si Kushtetuta, ashtu edhe statuti i NP "Ujësjellësi dhe Kanalizimi" i obligon drejtuesit që përveç gjuhës maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, të përdorin edhe gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. Neni tjetër i statutit obligon që edhe punësimet të bëhen në bazë të parimit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike. Siç mëson ALSAT, shqiptarët në këtë ndërmarrje nuk janë as afër përfaqësimit adekuat, sidomos në pozicionet drejtuese. Valmir Kuçi

Share This Video


Download

  
Report form