Drejtori i Drejtorisë për zgjerim të KE-së, Stefano Sanino ka vizituar sot Shkupin, për t'u njoftuar nga afër me zhvillimet e fundit politike në Maqedoni. Në takim me liderin e opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovskin, siç njofton LSDM, Stefano Saninos i është kumtuar qëndrimi i LSDM-së për krizën aktuale politike dhe zgjedhjet e ardhshme lokale.
"Z. Sanino është njoftuar se është joreale të pritet që në këtë situatë, opozita, e cila brutalisht u dëbua, të kthehet në Kuvend, i cili me këtë përbërje nuk ka legjitimitet... Sidomos u theksua shqetësimi për faktin se një pushtet i cili në këtë mënyrë i keqpërdor institucionet gjatë sjelljes së Buxhetit, as mundet, e as do që të organizon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për këtë shkak, pjesëmarrja në zgjedhje lokale do ta bënte opozitën bashkëpjesëmarrës në anulimin e demokracisë".
Sanino është takuar edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Poposki dhe kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanovskin. Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme, Poposki para Saninos ka elaboruar reformat e arritura në Maqedoni të cilat kontribuuan që KE-ja për herë të katërt ta konfirmojë rekomandimin për fillimin e negociatave. Me Kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanovskin, Sanino është takuar pasi paraprakisht në takim me Shoqatën e Gazetarëve është njoftuar për ngjarjet e 24 dhjetorit, kur punonjësit e medias u dëbuan me dhunë nga Kuvendi. Përveç incidentit me gazetarët, Sanino ka kërkuar llogari nga kryeparlamentari edhe për mënyrën e sjelljes së Buxhetit për vitin 2013 dhe për dëbimin e opozitës me forcë nga Kuvendi. Siç mësohet, vizita e Saninos vjen pas ngjarjeve të fundit politike dhe qëndrimet diametralisht të kundërta të pushtetit dhe opozitës. Në këto takime, Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për zgjerim të Komisionit Evropian, personalisht ka dëgjuar këndvështrimet e liderëve politik. Megjithatë, vet Sanino nuk deshi të komenton qëllimin e vizitës së tij.
Pasdite, Stefano Sanino takohet me liderët politik shqiptar, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, në selitë e dy partive në Tetovë. Benjamin Arifi