Ministri i Jashtëm i Greqisë Dimitris Avramopulos i dërgon porosi të qarta Shkupit dhe Tiranës. Një pjesë e mediave greke, duke komentuar deklaratën e një dite më parë të diplomatit grek Avramopulos në Bruksel, pas Samitit të NATO-së, shkruajnë se këto porosi i drejtohen Shkupit dhe Tiranës zyrtare edhe pse në fjalim nuk përmendet asnjëra nga to. "Rritja e nacionalizmit dhe populizmit në disa nga vendet tona fqinje paraqet shqetësim të madh për ne. Unë bëra të ditur se sjellja e tillë është e papranueshme. Vendet kandidate, pavarësisht nëse flasim për NATO apo BE, duhet t'i respektojnë parimet dhe vlerat e Evropës. Nuk do të bëhen lëshime, dhe të gjitha kriteret dhe kushtet duhet të përmbushen", u shpreh një ditë më parë ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos në Bruksel. Madje siç transmetojnë mediat greke, Avramopulos gjithashtu ka theksuar se "politika e dyerve të hapura të NATO-s, nuk duhet të ngatërrohet me një festë të hapur ku mund të shkoj secili, qoftë edhe pa ftesë". Nga ana tjetër zv/ministri i jashtëm i Greqisë Dimtiris Kurkulas në një debat televiziv citohet të ketë thënë se rekomandimi i komisionit Evropian për të hapur negociatat me Maqedoninë dhe çështja e emrit të zgjidhet paralelisht me procesin e negociatave të aderimit nuk është diçka e re. Megjithatë, sipas tij, ky opsion është i papranueshëm për Greqinë, shkruante e përditshmja në gjuhën maqedonas 'Utrinski Vesnik'. Ndërkaq pak ditë para Samitit të Këshillit të BE-së, komisionari për zgjerim Shtefan Fyle deklaroi se autoritet në Shkup, nuk t'i mbajnë shpresat tek KE-ja, se Këshilli mund të gjejë zgjidhje magjike për çështjen e emrit. Semra Jakupi