"Faleminderit, amendamenti nuk pranohet", u shpreh Zoran Stavrevski, ministër i financave.
Kështu iu përgjigj sot ministri i financave, deputetëve të opozitës që kanë paraqitur amendamente për buxhetin e vitit të ardhëm. Asnjë amendament nuk kaloi! Deputetët e opozitës shpjegojnë se çfarë kërkojnë, kurse pushteti ua refuzon pa të keq. Sot tema kyçe për diskutim ishte gazifikimi, turizmi por edhe zonat teknologjike- industriale. Deputetët e opozitës kërkojnë më shumë mjete për zonën në Tetovë por akuzojnë edhe për qasje selektive, pasi shteti investon në të gjitha zonat ndërsa në Tetovë kërkohet koncesioner.
"Për dallim nga zonat tjera ekonomike në vend, zonën e lirë ekonomike në Tetovë shteti e zhvillon si partneritet privat, ku shteti do të ndërtojë siç thotë infrastrukturë dhe trafo-stacion deri në zonë, kurse investuesit duhet të vendosin infrastrukturën e ditës dhe ta mbushin zonën me kompani. Kjo mund të them se është në kundërshtim me praktikat e zakonshme ku shteti angazhohet plotësisht për zhvillimin e zonave ekonomike sikurse në Bunarxhik, në Shtip dhe në Manastirë", deklaroi Flamure Demiri, deputete
"Bëhet fjalë për zonën zhvillimore industriale në të cilën e tërë qeveria shkoi në ditën e hapjes para 3 vitesh për ta shkatërruar kopshtin e pemëve prej 95 mijë metra katror, plot me vishnje dhe që eksportoheshin jashtë vendit. Tani, në këtë vend kemi ferra, kemi vetëm një tabelë për atë zonë industriale dhe presim që patriotët e VMRO DPMNE-së të hedhin ndonjë kockë edhe në këtë rajon", tha Stojko Paunovski, SDSM.
Ndërkaq pushteti nuk pajtohet me qëndrimet për selektivitet.
"Në disa vende koncepti i ndërtimit nga shteti jep rezultate, e në disa vende shumica e zonave zhvillimore teknologjike iu janë dhënë investuesve privat që e zhvillojnë zonën dhe në bazë të kontakteve që kanë së bashku me shtetin, mbushin zonën", tha
Zoran Stavrevski, ministër i financave.
Deri tani, për dy javë diskutime, janë shqyrtuar 32 amendamente të opozitës, kurse numri i përgjithshëm i amendamenteve të paraqitura është 1200. Diskutimi për buxhetin duhet të përfundojë deri në mbarim të vitit. Natasha Stojanovska