Nuk do të ketë më transport të udhëtarëve dhe mallrave pa licencë dhe leje pune të lëshuar nga institucionet kompetente. Prej 1 tetorit do të startojë sistemi i ri njësportelësh që do të zbulojë nëse transportuesit vendorë apo të huaj kanë licenca përkatëse për ushtrimin e veprimtarisë.
"Ndonjëherë ka ndodhur që edhe kompanitë që nuk janë të licencuara të thonë se kanë leje për transport nga Vjena në drejtim të Shkupit dhe raste të tilla ka pasur. Tani do ta kufizojmë konkurrencën jolojale në Maqedoni dhe nuk do të mund që kompanitë vendore të qarkullojnë jashtë vendit pa leje të tilla. Ndërkaq për transportin e mallrave duhet t'i kenë të gjitha licencat e duhura, të kenë leje CEMT. Dhe, nëse nuk kanë leje të tillë, do të duhet të posedojnë leje bilaterale për atë vend ose leje për qarkullim drejtë vendit të tretë", tha Mile Janakievski, ministër i transportit.
"Tani me këtë do të kemi të dhëna elektronike dhe sapo dikush të na japë leje, drejtoria e doganës menjëherë do ta gjejë nën shifrën emrin dhe mbiemrin se kush është ai dhe a ka leje, a është e njëjta ose jo, pastaj do të regjistrohet se sa herë është shfrytëzuar", theksoi Vanço Kargov, drejtor i doganës.
Sipas komunitetit të biznesit të Odës Ekonomike do të shkurtohet koha që tani shpenzohej nëpër terminale për kontroll të dokumenteve dhe do të ketë qarkullim më të shpejtë të mallrave dhe udhëtarëve.
"Qëllimi nuk është vetëm mbrojtja e udhëtarit, por edhe e transportuesve që ankohen se ka orvatje për marrjen e pjesës së kulaçit të tyre të biznesit të transportit për çka Maqedonia është shumë e interesuar. Me faktin se lëshojmë leje të këtilla, ne e rregullojmë transportin", deklaroi Antoni Peshev, Oda Ekonomike.
Në vitin 2009 përmes sistemit të këtillë janë lëshuar 39 mijë leje të ndryshme eksportuese- importuese, në vitin 2010 u lëshuan 59 mijë, ndërsa vitin e kaluar ky numër arriti deri në 72 mijë leje. Prej fillimit të vitit shteti lëshoi 48 mijë leje për importin dhe eksportin e mallrave dhe bartjen e udhëtarëve në botën e jashtme. Verica Pavlloska