Është anuluar për shkaqe të sigurisë procesi gjyqësor ndaj policit Jakim Trifunovskit për vrasjen e dy të rinjve shqiptarë në Gostivar, Besnik Shehapi, 25 vjeç dhe Imran Mehmeti 30 vjeç. Vendimin për anulimin e ka marrë gjykatësi Branko Sekullovski, për shkak të siç ka theksuar rrezikut të lartë dhe si rrjedhojë e kësaj i akuzuari nuk është sjellur nga burgu i Prilepit ku edhe po mbahen në paraburgim.
"Pra kjo ishte arsyeja, nga burgu kanë kërkuar asistencë për të siguruar dhe për këtë arsye është shtyrë gjykimi", tha Mitko Sollakov, avokati mbrojtës i të akuzuarit.
Ndaj këtij arsyetimi ka reaguar avokati mbrojtës i të dëmtuarve Vullnet Paçuku, i cili vendimin e ka quajtur të pabazë pasi gjendja e sigurisë në Gostivar është e qetë dhe se nuk janë vërejtur elemente të rrezikut të lartë siç ka pretenduar gjykata.
"Në seancë shpreha revoltën time për mos sjelljen e të akuzuarit në seancën e sotme, sepse arsyeja ishte për shkaqe sigurie nuk është sjellë në seancë, por siç e shihni në Gostivar është shumë qetë, para gjykatës është shumë qetë, pra janë plotësuar të gjitha kushtet për ta mbajtur këtë gjykim. Të gjithë dëshmitarët ishin të pranishëm ky anulim mendoj se ishte i pabazë. Dhe patjetër jam i mendimit që ky proces duhet të zhvillohet pranë gjykatës së Gostivarit", deklaroi Vullnet Paçuku, avokat mbrojtës i palës së dëmtuar.
Avokati i familjarëve të dy të rinjve të vrarë thotë se i akuzuari Jakim Trifunovski, duhet të dënohet për veprën e kryer që në bazë të dispozitave ligjore parashihet dënim me burg nga 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm. Ndryshe, polici Jakim Trifunovski më 28 Shkurt të këtij viti pas një zënke verbale për një vend parkimi, me armën zyrtare të policisë, ka vrarë Besnik Shehapin, 25 vjeç dhe Imran Mehmeti 30 vjeç. Akti i këtillë kishte shkaktuar reagime dhe protesta të shumta nga organizata të ndryshme të cilat kanë kërkuar dënimin më të rreptë të autorit të kësaj ngjarje. Bashkim Sulejmani