Ekspertët mjekoligjorë kanë rrëzuar pistën e mbrojtjes, në procesin gjyqësor ndaj policit Jakim Trifunovski, i cili vrau dy të rinj në Gostivar, një vit më parë. Në seancën e sotme, ekspertët Nensi Manusheva dhe Antonio Novotni, mjek pjesëmarrës në përcaktimin e dinamikës së vrasjes, theksuan para trupit gjykues se polici Trifunovski, në momentin e kryerjes së aktit nuk ka qenë në afekt emocional, siç pretendonte t'i jepte kah avokati mbrojtës i tij, Mitko Sollakov. Pala akuzuese, pas raporteve të sotme mjeko-ligjore nga klinika universitare e psikiatrisë në Shkup, mendon se çështja shkon në favor të tyre, dhe se vrasësi do të marrë dënimin e merituar.
"Në bazë të ekspertizës shtesë që përgatitën neuropsikiatrit, u vërtetua se gjendja e të akuzuarit nuk ka pësuar ndonjë ndryshim patologjik në rastin e kryerjes së veprës penale. Në bazë të kësaj, vërtetohet se ai ka qenë i llogaritshëm dhe ka pasur për obligim të koordinonte dhe të jetë i vetëdijshëm për veprimet që i merr. Edhe pse në fillim disa nga ekspertët kishte ca tentime që shkonin në drejtim të ndihmës së të akuzuarit mirëpo rrethanat u qartësuan dhe nuk ka dyshim se si ka ndodhur kjo vepër kriminale, dhe për gjendjen psikologjike të të akuzuarit dhe presim dënimin maksimal", deklaroi Vullnet Paçuku, avokat i viktimave.
Por të kundërtën komenton avokati mbrojtës i vrasësit Trifunovski. Ai thotë madje se pas deklaratave të dy ekspertëve mjeko-ligjorë, çështja po kthehet në favor të të akuzuarit.
"Gjyqi do vendos se cilën variant do të marrë, të parin apo të dytin. Kjo është çështje e gjykatës tashmë, por mendoj se është shumë në favorin tonë", tha Mitko Sollakov, avokat mbrojtës i të akuzuarit.
Seanca e radhës ku palët do të thonë fjalën e fundit mbi klientët e tyre, do të mbahet më 22 shkurt. Një vit më parë, pikërisht më 28 shkurt të vitit të kaluar, polici Jakim Trifunovski ekzekutoi me armën zyrtare dy të rinj shqiptarë në qytetin e Gostivarit, Besnik Shehapin dhe Imran Mehmedin. Bashkim Sulejmani