Heshtja e nënkryetares së Kuvendit Suzana Saliu dhe mos kryesimi i seancave plenare, ishte edhe një shkak plus që grupi parlamentar i PDSH-së të kërkonte pauzë një orëshe, edhe pse më herët ishin ankuar pse fjalimet e deputetëve shqiptarë shkojnë në veshin e qytetarëve, të dubluara. Për PDSH-në e Thaçit është e papranueshme që një funksionari të lartë siç është nënkryetari i Kuvendit, i emëruar pikërisht nga kuvendit t'i pamundësohet kryesimi i seancave plenare.
"Po bëhen një vjet që kur Suzana Saliu nga ky parlament u zgjodh nënkryetare e parlamentit e që deri më sot as edhe një sekondë nuk ka udhëhequr me punën e parlamentit, nuk ka udhëhequr me seancat plenare, në këtë mënyrë thyhet edhe rregullorja e punës së kuvendit, dikush mund të thotë po mirë çka keni ju që reagoni kur nuk reagon partia e saj, është e drejtë e tyre, ata duhet të përgjigjen pse nuk reagojnë, ndoshta kanë hipoteka të ndryshme apo diçka tjetër, ne reagojmë për faktin që trajtesën që ja bëni Suzana Saliut, i nënçmon shqiptarët dhe jo atë. Me zgjidhjen e saj t'ju rikujtoj na u paraqit si e arritur e madhe për shqiptarët, në veçanti për gruan shqiptare e kështu me radhë, e tani çka po ndodhë a thua Suzana Saliu si plotëson kushtet e 'Prerodbës'", deklaroi Bekim Fazliu, PDSH.
Deklarata e Fazliut shkaktoi reagimin e koordinatorit të BDI-së Talat Xhaferi i cili në mbrojtje të bashkë-partiakes së tij Suzana Saliu, tha se ajo do të flasë atëherë kur të dojë BDI-ja dhe jo PDSH-ja e Fazliut.
"Unë e kuptoj të drejtën procedurale të përfaqësuesve të PDSH-së të kërkojnë pauzë për një orë, por dua t'i kujtoj se BDI-ja dhe deputetët e saj nuk kanë nevojë për sufler në parlament. Në rast se Bekim Fazliu dhe deputetët e PDSH-së duan të luajnë rolin e suflerit kanë mundësi të shkojnë në teatër, atje është edhe sistematizimi i vendit të punës sufler...Kur Suzana Saliu do të dalë në udhëheqje të seancë të parlamentit për atë vendos BDI-ja e askush tjetër e më pak Bekim Fazliu", tha Talat Xhaferri, BDI.
Pas ndërhyrjes procedurale të Xhaferrit, kreu i parlamentit Trajko Velanoski dha pauzë një orëshe duke anashkaluar deputetin tjetër të PDSH-së Ziadin Sela i cili gjithashtu kërkoi ndërhyrje procedurale. Kjo ishte arsyeja që edhe seanca e rifilluar të vazhdonte me kërcënime nga PDSH-ja për bllokim të punës së parlamentit.
"E ke bë si pazar funksionimin e parlamentit, pasi që je kryetar i parlamentit. Fakti që je kryetar i parlamentit nuk të jep të drejtën që të veprosh ashtu siç të kujtohet ty dhe të shkelësh rregulloren kur të kujtohet ty. Sa herë që ju nuk do të jeni prezent dhe do të caktoni ndonjë nga nënkryetarët për të udhëhequr seancën ne do të protestojmë deri sa të del dhe të udhëheq me seancën nënkryetarja Suzana Saliu", u shpreh Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.
Ndërkaq, gjatë seancës së sotme kuvendi përfundoi debatin rreth ligjit për procedurë penale por votimi i tij në mungesë të deputetëve u shty për të hënën, për shkak se ligji votohet me dy të tretat e votave të deputetëve. ...