NATO nuk ka plan B për anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë. Vendi fillimisht duhet të zgjidhë çështjen e emrit e më pas të marr ftesën për anëtarësim. Kështu deklaroi zv/sekretari i përgjithshëm i NATO-s Aleksandar Vershbou, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në vend. Pas takimit me kryeministrin Nikolla Greuvski dhe Ministrin e Jashtëm Nikolla Poposki, Vershbou tha se qëndrimi i NATO-s rreth anëtarësimit të Maqedonisë në Aleancë nuk ka ndryshuar; akoma vlen vendimi i Samitit të Bukuresht i përsëritur edhe në Çikago, që fillimisht të zgjidhet emri, e pastaj i hapet rruga anëtarësimit.
"Ashtu siç theksuan liderët e NATO-s në Samitin të Çikagos, ne do t'ia bëjmë ftesë shtetit tuaj që t'i bashkohet Aleancës pasi të gjendet një zgjidhje e përbashkët për emrin në kuadër të OKB-së. NATO është organizatë e cila vendimet i merr me konsensus dhe vendimi i 2008-ës i cili u rikonfirmua në Çikago reflekton vazhdimësinë e konsensusit të Aleancës sa i përket rrugës së anëtarësimit të IRJM-së. Ne na duhet të arrijmë konsensus që të ndryshojmë një vendim që është marrë me konsensus. Prandaj për momentin nuk kemi plan B", deklaroi Aleksandar Vershbou, zv/sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Vershbou gjithashtu theksoi se NATO vazhdon politikën e dyerve të hapura dhe se është e interesuar të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor. Por ai porosi që vendi duhet të marrë vendime të vështira dhe të guximshme me qëllim që të përmbushë qëllimin strategjik për anëtarësim në strukturat euro-atlantike. Ardhmëria e këtij vendi siç vlerësoi Vershbou do të jetë e sigurt me integrimin e vendit në NATO prandaj Aleanca do të bëjë gjithçka për të përshpejtuar këtë proces. Ndërkaq Ministri i Jashtëm Nikolla Poposki tha se Maqedonia edhe pse në mënyrë praktike vepron si shtet anëtar dëshiron që ky proces të formalizohet sa më shpejtë. Poposki tha se megjithë presionin grek dhe imponimin e problemit të emrit, vendi mbetet i përkushtuar në rrugën e tij euro-atlanike, dhe orientimin drejt dialogut të hapur për kapërcimin e problemit të emrit.
"Megjithë kriteret e përmbushura për anëtarësim, pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse dhe aktvendimin e Gjykatës së Hagës, Maqedonia akoma e pret ftesë e merituar për anëtarësim. Kërkuam në arritjen sa më shpejtë të konsensusit në NATO për të bërë të mundur anëtarësimin tonë. Maqedonia mbetet e hapur për dialog dhe vazhdon me qasje aktive në ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe thellimin e besimit të ndërsjellë. Qasje të sinqertë presim edhe nga fqinjët tanë në mënyrë që të gjithë të mund të kontribuojmë në ruajtjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit të Aleancës", u shpreh Nikolla Poposko, Ministër i Jashtëm.
Për Poposkin, vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun si dhe ajo e ndërmjetësit në çështjen e emrit Mejtu Nimic i cili pritet të vizitojë Maqedoninë dhe Greqinë së shpejti, mund të kontribuojnë në krijimin e një klime të mirë për intensifikimin e bisedimeve, nëse Greqia tregon përkushtim për këtë. Nga ...