"Gënjeshtra nga një ministër i painformuar". Kështu e ka quajtur Komuna e Gostivarit, deklaratën e djeshme të Ministrit të Pushtetit Vendor Nevzat Bejta, lidhur me angazhimin e tij personal për kredinë prej 1 milion eurosh nga banka botërore dedikuar komunës së Gostivarit. Faton Jahja, përgjegjës i Zyrës për Projekte është shprehur se merita ekskluzive për kredinë afatgjate të miratuar për komunën e Gostivarit, i takon menaxhmentit komunal të udhëhequr nga kryetari i Komunës Rufi Osmani, dhe jo dëshirës së ministrit.
"Komuna e Gostivarit për financim të projekteve nuk ka aplikuar për kredi në Qeverinë e RM, Ministrinë e financave e as më pak në Ministrinë e vetëqeverisjes lokale. Komuna e Gostivarit për të njëjtën kredi ka aplikuar në Bankën Botërore e cila është institucion i vetëm për miratim apo refuzim të projekteve që duhen të kreditohen nga ai institucion", tha Faton Jahja, përgjegjës i Zyrës së Projekteve.
Nga Komuna kanë akuzuar Ministrin Bejta së është i painformuar mbi kredinë në fjalë.
"Së pari, nga kredia e miratuar do të investohen 500 mijë euro për pajimet në ndërmarrjen publike komunale, e jo 400 mije euro siç dezinformon ministri në fjalë nga mosdija. Së dyti, nga kredia në fjalë do të investohen 347.282 euro për ndërtimin e rrjetit të ri të ndriçimit publik dhe të zëvendësimit të llambave ekzistuese me llamba led, e jo 500 mijë euro siç pretendon ministri i keqinformuar. Dhe së treti, dallimi i mbetur nga dy pozicionet paraprake nga një milion euro, gjegjësisht shuma prej 141,717.73 euro është planifikuar të realizohet për zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Debresh dhe jo shuma prej 100 mijë euro për ndërtimin e basenit në fshatin në fjalë", tha Faton Jahja, përgjegjës i Zyrës së Projekteve.
Nga Komuna e Gostivarit e pyesin Bejtën se në çfarë cilësie shfaqet para mediave, duke pasur parasysh faktin se ai mban disa poste. Një ditë më pare Bejta theksonte se kredia 1 milion eurosh për Gostivarin ishte miratuar falë këmbënguljes së ministrisë së pushtetit vendor. Bashkim Sulejmani