Nëse gjatë dhjetë ditëve të ardhshme nuk do të ketë reshje të mëdha të shiut, vendi do të mbetet me rendiment të përgjysmuar të drithit dhe të kulturave vjeshtore. I tillë është qëndrimi i ekspertëve bujqësor. Praktikisht kjo do të thotë se qeveria dhe mullixhinjtë qysh tani do të duhet t'i përveshin mëngët dhe të fillojnë të kërkojnë treg për blerjen e grurit me çka do të siguronin bukë dhe miell për këtë vit. Sipas ekspertit bujqësor Risto Vuçkov, thatësia e vitit të kaluar e mori haraçin përmes mbjelljes së sivjetme vjeshtore, përkatësisht vendi i thatë e thithi borën e madhe që ra këtë dimër.
"Nëse gjatë dhjetë deri pesëmbëdhjetë ditëve të ardhshme nuk do të ketë reshje të mëdha të shiut, për ta ngopur kapacitetin e tokës ne gjithsesi do të kemi humbje në raport me rendimentet tek drithërat, rritjen e pamjaftueshëm të hardhisë së rrushit, të fidanëve të pemëve dhe në përgjithësi në bujqësi. Me një fjalë toka është e etur për ujë dhe nëse gjatë periudhës së ardhshme nuk do të ketë shi do të ketë dëme evidente në fillim të vegjetacionit", deklaroi Risto Vuçkov, ekspert bujqësor.
Nga drejtoria hidrometeorologjike konfirmojnë se gjendja me të mbjellat vjeshtore është dëshpëruese. Ata ishin në terren nëpër tërë vendin dhe me analizat e bëra konstatuan se në dhjetë cm e parë të shtresës së tokës, thuajse nuk kishte lagështi. Nga drejtoria hidrometeorologjike thonë se sipas analizave të tyre, bujqit shiun duhet ta presin kah mesi i javës së ardhshme.
"Që nesër rajoni jonë do të jenë nën ndikimin e masës së thatë dhe të ngrohtë të ajrit. Prej të martës e deri të premten pritet mot jostabil që do të thotë se në orët e paradites do të jetë me diell me vranësira të matura, kurse pasdite me zhvillimin e vranësirave jostabile me reshje lokale të shiut dhe bubullimë dhe me erë të fuqishme. Reshjet do të jenë të karakterit lokal, e sidomos në viset lindore, përpos të premtes kur do të jenë më të shprehura në viset perëndimore të vendit", tha Lençe Rizova, sinoptikane kujdestare.
Për shkak të ndryshimeve klimatike thuajse të gjitha vendet në botë përballen me rendimente të zvogëluara të prodhimeve bujqësore. Verica Pavlloska