Një ditë pas arrestimeve të shumta të policisë lidhur me vrasjen në Smillkovcë, dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH kanë heshtur. Asnjëra prej tyre nuk është prononcuar as me deklaratë e as me ndonjë komunikatë për shtyp. Ka reaguar vetëm RDK duke i vlerësuar të rrezikshme tentativat që dukuritë kriminale të zhvendosen nga rrafshi kriminal në atë fetar e që vërehet nga kontradiktat në deklaratat dhe video incizimet e MPB-së. Prandaj ata kërkojnë nga MPB të jetë sa më transparente në procesin e kapjes së vrasësve të vërtetë në Smillkovcë duke dhënë dëshmi dhe detaje për aksionin.
"Video incizimet e prezantuara nga vet MPB demantojnë deklaratat e vet ministres, sepse këto video incizime dëshmojnë se te disa të akuzuar janë gjetur flamuj dhe emblema të ish UÇK-së dhe jo materiale propagandistike me përmbajtje radikale islamike. Tentativa që problemet nga rrafshi kriminal të zhvendosen në rrafshin fetar, jo vetëm që janë te papranueshme, por edhe shumë të rrezikshme për sigurinë në vend dhe rajon dhe mund të jenë shkak për një zinxhir të ri të dhunës ku do ta pësonin qytetarët e pafajshëm pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare. Rilindja Demokratike Kombëtare është jetësisht e interesuar që të zbulohen aktorët e vërtetë për krimin e ndodhur në afërsi të Shkupit dhe ata të marrin dënimin ligjor, por njëkohësisht si subjekt politik është kundër marrjes në qafë të njerëzve të pafajshëm dhe krijimin e pretekstit për akuza të pabaza në rrafsh nacional dhe fetar, e që do të ishin hyrje në një spirale të dhunës dhe jostabilitetit të kontrolluar për motive të përfitimit konjuktural politik", thuhet në reagimin me shkrim të RDK.
Ndërsa VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë përshëndetur këtë aksion policor duke i dhënë edhe mbështetje Ministrisë së brendshme për çuarje deri në fund të aksionit.
"Me rëndësi është që të përshëndetet efikasiteti dhe shpejtësia me të cilën u realizua aksioni. Ky aksion i shpejt, profesional dhe efikas paraqet dëshmi se institucionet shtetërore po kryejnë detyrën e tyre", tha Vllatko Gjorcev, VMRO-DPMNE.
"Gjatë 20 ditëve të kaluara LSDM-ja qartë dhe pa mëdyshje i ka dhënë mbështetje MPB-së dhe forcave të sigurisë që ti zbulojnë, ti privojnë nga liria dhe ti nxjerrin para organeve të drejtësisë kryerësit e vrasjes makabre që ndodhi në fshatin Smillkovcë. Shpresojmë se aksioni i djeshëm i policisë do të jep kontribut të madh për identifikimin dhe sigurimin e dëshmive për zbardhjen e plotë të rastit", tha Emiljan Stankoviç, LSDM.
Partia e Cërvenkovskit kërkon që procedurat e hetimi dhe zbardhja e rastit të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur për të evituar interpretimet e natyrave të ndryshme. Gjyltene Rexhallari