Tiranë -
Akreditimi i universiteteve si publike dhe private do të përfundojë si proces gjatë këtij viti. Deklarata vjen gjatë një interviste për AS nga zv.ministri i Arsimit, Arbjan Mazniku, i cili shprehet se tashmë ka përfunduar manuali i hartuar nga agjencia britanike e cila do të bëjë dhe vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë. Mazniku thotë se gjatë muajit maj do të fillojë trajnimi i të gjithë specialistëve që do të jenë pjesë e procesit të akredimit, ndërkohë që ende nuk është përcaktuar se nga cilat universitete ai do të nisë, nga ato publike apo private.
"Pas një bashkëpunimi intensiv mes agjencisë dhe agjencisë tonë për përputhjen e mekanizmit dhe mënyrës se si do të ndodhë në terren vlerësimi i akreditimit, përputhjen dhe të metodologjisë së punës po dhe standardeve dhe kritereve që do të vlerësohen. Kjo fazë është përmbyllur këto ditë dhe në javën e parë të majit do të kemi misionin e parë të agjencisë britanike në Shqipëri e cila do të merret kryesisht me trajnimin e atij grupi vlerësuesish që do ti bashkohen vlerësuesve britanik dhe aftësimin e tyre me këtë standard. Brenda këtij viti të gjitha institucionet e arsimit të lartë publike dhe private do të jenë të akredituara", tha Arbjan Mazniku, zv ministër i arsimit dhe sportit.
Fillimisht do të ketë një proces vlerësues, përsa i përket dokumentacionit dhe bazës ligjore mbi të cilat janë ngritur këto universitete, në veçanti ato private dhe që nuk kanë shumë vite në arsimin e lartë shqiptar, ndërkohë që në një fazë të dytë do të nisë vlerësimi i programeve që universitetet disponojnë dhe mbi ç'kritere funksionojnë ato, dhe sa të vlefshme janë për tregun e punës.