"Masakrat e tmerrshme” të kryera gjatë epokës koloniale franceze në Algjeri “nuk mund të harrohen”, tha presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune me rastin e 77 vjetorit të masakrës së 8 majit 1945 të kryer nga ushtria koloniale franceze kundër demonstruesve algjerianë.
Masakra e 8 majit 1945 ishte masakra më e madhe dhe më e shëmtuar e kryer nga Franca në një ditë të vetme, ku shifrat zyrtare algjeriane vlerësojnë se rreth 45.000 algjerianë u vranë duke kërkuar pavarësinë e vendit të tyre. Algjeria përfaqëson shembullin më të fundit dhe më të përgjakshëm të historisë koloniale të Francës në kontinentin afrikan.
Përafërsisht 1,5 milion algjerianë u vranë dhe miliona të tjerë u zhvendosën në luftën tetëvjeçare për pavarësi që filloi në vitin 1954. Përveç masakrës së lartpërmendur, historia ka shënuar edhe masakrën e Parisit në vitin 1961 kur policia franceze pushkatoi 300 demonstrues paqësorë algjerian që marshonin rrugëve të Parisit duke kërkuar pavarësinë e vendit të tyre nga Franca.
Për vite me radhë, Algjeria ka kërkuar që Franca të njohë dhe të kompensojë krimet e saj të kryera kundër popullit algjerian gjatë periudhës koloniale franceze midis viteve 1830 dhe 1962. Parisi nuk i ka kërkuar asnjëherë zyrtarisht falje Algjerisë si shtet për politikat e saj koloniale.
Avdi Bakiu /https://shenja.tv/category/emisione/bota-ne-fokus/