1 tetori është afati i vendosur nga Kuvendi i Shqipërisë për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kanë të bëjnë me hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Në kushtet kur ka mbetur shumë pak ditë nga ky afat, Komisioni i Ligjeve ditën e hënë do të marrë në shqyrtim të gjitha propozimet që janë bërë deri më tani për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Në këtë seancë të ngjeshur do të diskutohet drafti me propozime i depozituar nga PS që solli jo pak debate mes palëve politike. Në draftin e PS, parashikohet që të hapen listat 100% por formula që kanë propozuar e bën të vështirë ndryshimin e renditjes së kandidatëve nga partia politike, pasi konkretisht, Partia Socialiste kërkon që renditja e kandidatëve të bëhet në rend shifror, dhe kjo renditje ndryshon vetëm nëse kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madh sesa mesatarja e partisë, që del nga pjestimi i numrit të votave që ka marrë subjekti politik me numrin e mandateve të fituara nga subjekti. Ndërsa pragun zgjedhor, PS e propozon të jetë 3% në rang kombëtar.
Propozimi tjetër që do shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve nuk ndryshon shumë nga i PS. Bëhet fjalë për një propozim të disa prej deputetëve të opozitës parlamentare, të cilët ndonëse trumbetuan me të madhe hapjen e listave, propozuan një formulë që i lejon kryetarit të partisë të mbyllë listat deri në 1/3. Sa i përket pragut zgjedhor, opozita parlamentare kërkon të jetë 1% në rang kombëtar. E pikërisht për çështjen e pragut mund të gjendet dakordësia mes opozitës në Kuvend dhe PS, pasi kjo e fundit pritet të bëjë lëshime e të pranojë propozimin për të pasur pragun 1%. Sinjalet për këtë dakordësi i dha deputetja e PS, Mimi Kodheli në një intervistë për Report tv.
?Ne e kemi quajtur listë të ngrirë, domethënë lista do të përcaktohet që në fillim. Të hënën dhe të martën pragu 3% mund të modifikohet edhe në propozimet e deputetit Murrizi. Nuk ka pasur pikëpyetje as fërkime dhe në mbledhjen e fundit që kemi pasur. Ne po shkelim në një tokë të re. Lidershipi ka qenë në presion sepse ka pasur 'presion' le të themi nga palët, dhe i është dashur maturi për të mos krijuar hatër mbetje?, tha Kodheli.