36 shkolla janë të gatshme që më 1 tetor të fillojnë mësimin me prezencë fizike. Shkollat kanë dorëzuar kërkesat e tyre në Ministri të Arsimit dhe mbetet që për fatin e tyre të vendosë Qeveria në mbledhjen e ardhshme.
?Deri tani kanë mbërritur kërkesa për 36 shkolla, prej të cilave 15 shkolla të mesme dhe 21 fillore. Por sot është afati i fundit, pra ende mund të mbërrijnë përmes postës dhe kemi obligim të presim edhe 3 ditë që të grumbullohen të gjitha. Komisioni i punon vazhdimisht ashtu si mbërrijnë. Sigurisht në seancën e radhës të Qeverisë do të kalojnë kërkesat që kemi pranuar, ndërsa edhe ato që do të mbërrijnë më tej do të kalojnë në seancat e radhës në mënyrë që shkollat të marrin përgjigje përfundimtare- deklaroi Milla Carovska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Ndërkaq mësimi online në të gjitha shkollat tjera do të realizohet përmes një platforme të përbashkët. Ministrja e Arsimit, Milla Carovska paralajmëroi se kjo platformë që do të përdoret gjatë pandemisë, do të shfrytëzohet edhe pasi pandemia të mbarojë.
?Së shpejti para opinionit do të prezantohet platforma e vetme kombëtare për mësim online. Për herë të parë si shtet do të kemi këso platorme që do të jetë e lehtë për përdorim me komunikim dypalësh dhe është bërë në bazë të praktikave të mira. Do të jetë e lehtë për përdorim nga mësimdhënësit, nxënësit, prindërit por edhe nga institucionet arsimore- tha Caroska.
Ndonëse së fundmi Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ishte deklaruar se për shkak të numrit të madh të nxënësve shkollat në Shkup nuk janë të përshtatshme për mësim klasik me prezencë fizike, Carovska nuk pranoi të komentonte nëse kjo vlen edhe për shkollat në qytetet tjera, me numër të madh rastesh me COVID 19.
Anesa Salihu