INSTAT/ (Zh) bëhet kultura gjatë pandemisë! Biblioteka në gjumë, në tre muaj vetëm 91 frekuentues

Report TV 2020-11-05

Views 0

Një ndër sektorët që ka paralizuar pandemia COVID 19 është ai i kulturës. Humbjet në 6-mujorin e parë të 2020-s, krahasuar me të ardhurat e një viti më parë janë 90 për qind. Por, përpos humbjeve financiare dëmin më të madh e ka pësuar Biblioteka Kombëtare me uljen e numrit të lexuesve. Në tremujorin e dytë të 2020-s numri i frekuentuesve nuk është as 100.

Edhe përse nuk mund të bëhen krahasime për shkak të situatës së pandemisë, referuar INSTAT në tremujorin e dytë të vitit 2020, numri i shërbimeve të njësive bibliotekare është 182, nga 27 180 të tillë në tremujorin e dytë të 2019-s, ndërkohë numri i frekuentuesve në Bibliotekën Kombëtare është në kolaps vetëm 91 të tillë, nga 37 026 gjatë 2019-s. Gjatë këtij tremujori janë afishuar 262 tituj të rinj dhe 1220 ekzemplarë të rinj nga 11 18 të tillë në 2019-n. Ndërsa, numri i ekzemplarëve është 1220 nga 3699.

Por, ndonëse trumbetimi që libri të shkojë tek lexuesit nuk ka munguar as gjatë pandemisë përmes aktiviteteve të ndryshme, duke shpallur muajit e librit, qershorin dhe tetorin, zanafilla e këtij kufizimi është më e hershme. Shërbimi publik i Bibliotekës Kombëtare është kufizuar që nga viti 2018. Fillimisht pas zjarrit të marsit të vitit 2017, Biblioteka Kombëtare kufizoi huazimin jashtë ambienteve të saj. Ndërsa, pas përmbytjes së vitit 2018, ky funksion u zbeh, duke u argumentuar pas largimit të ish-drejtoreshës Persida Asllani, edhe nga drejtori Piro Misha, se funksioni i Bibliotekës Kombëtare nuk është huazimi i librave. Pasi, kjo gjë nuk ndodh as në vendet e tjera. Por, vendet e tjera, përpos Bibliotekës Kombëtare kanë dhe Bibliotekë qyteti, e cila në kryeqytetin shqiptar s?ekziston ende, përveçse si projekt-ide për në të ardhmen. Ndërsa, lajmi i mirë është që gjatë këtij viti që përkon me 100-vjetorin e institucionit, ka nisur digjitalizimi i veprave që mund të aksesohen edhe online.

Por, edhe institucionet e tjera të Kulturës vazhdojnë të zbatojnë protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë, duke qëndruar mbyllur prej datës 8 mars të këtij viti.

Vetëm muzetë, galeritë dhe sitet arkeologjike që nga data 18 maj, mirëpresin vizitorë sipas rregullave të distancimit social. Numri i tyre arrin në 11.081, me vetëm 522 vizitorë të huaj.

Teatrot numërojnë shfaqjet dhe shikimet online, në total 45 premiera online, ku 31 ishin mbrëmje poetike të Teatrin Kombëtar dhe 6 shfaqje online të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Sa u përket strategjive të rimëkëmbjes, tashmë që të gjitha institucionet e kulturës kanë mbyll sezonin online, mbetet t?i zbulojmë në vjeshtë.

Share This Video


Download

  
Report form