Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thënë se shqiptarët dhe bizneset turistike kanë nevojë për masa dhe ndihmë konkrete që të kenë mundësi të çojnë fëmijët në plazhe apo male, dhe që biznesi i turizmit të funksionojë. Sipas tij 100 mijë punonjës rrezikojnë punën e tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se industria turistike është dega më e goditur nga kriza e pandemisë dhe nuk mund të ecë përpara me video propagande të plazheve që sot janë thuajse të boshatisur.
Ai tha se Partia Demokratike po punon me ekspertët më të mirë për një plan ekonomik që do t'i vijë në ndihmë turizmit dhe gjithë ekonomisë.
Postimi i plotë:
Në këto ditë të verës, më shumë se gjysma e shqiptarëve e kanë të pamundur të pushojnë me fëmijët e tyre pas disa muajsh shumë të vështirë. Ndonëse përbën 22% të ekonomisë shqiptare, turizmi është sot dega më e goditur nga kriza dhe pandemia. 100 mijë punonjës në këtë sektor dhe mbi 200 mijë të tjerë të lidhur me të, rrezikojnë punën dhe mbijetesën e tyre dhe të familjeve. Si pasojë e dritëshkurtësisë së qeverisë Rama dhe premtimeve të pambajtura për t'i ardhur në ndihmë, këtë verë turizmi shqiptar gjendet në ditën e tij më të keqe.