TIRANE-Arrestohet Alket Brata, i akuzuar nga prokuroria si kreu i grupit që drogoi dhe shfrytëzoi seksualisht 17-vjeçaren në Fushë Krujë. 23-vjeçari i kërkuar për një sërë veprash penale u vendos në pranga në kuadër të operacionit të koduar "Nikla", që ka nisur prej disa ditësh.
Brata u arrestua në Tiranë në rrugën "Petrit Radovicka" gjatë kohës që drejtonte makinën pa leje drejtimi. 23-vjeçari akuzohet për prodhim dhe shitje droge, nxitje për përdorimin e drogës, shfrytëzim prostitucioni, por edhe vendosjen e tritolit në banesën e 17-vjeçares, e cila e denoncoi pak ditë më parë për shfrytëzim prostitucioni.Me Bratën numri i personave që vendosen para drejtësisë shkon në 6. Pak ditë më parë u arrestuan Edison Çangu 28 vjeç, Fatjon Leka 25 vjeç, Leonard Stafa 17 vjeç dhe Arbis Shima 26 vjeç, ndërsa Ameldi Merlika 17 vjeç u dorëzua në Sarandë. Aktualisht 5 nga të arrestuarit janë në burg, ndërsa Leonard Stafa 17 vjeç në arrest shtëpie.
Report Tv siguroi dëshminë e vajzës dhe dosjen e plotë në prokurori, ku tregohet se si e mitura ra pre e shfrytëzimit seksual nga 6 persona. Në këtë histori janë të përfshirë dhe persona të tjerë të cilët kanë kryer me të marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj, ndërsa e mitura tregoi dhe qëllimet e kreut të grupit Alket Brata për ta shfrytëzuar atë në Greqi (lexo ketu).