Sot në Kuvend Erinda Ballanca lexoi raportin mbi veprimtarinë e institucionit që drejton për vitin 2019 duke e vendosur theksin te problemet në burgje. Ndërkohë që deputeti opozitar Halit Valteri e cilësoi Erinda Ballancën si avokate të Lulzim Bashës, duke kërkuar që ky institucion të shkrihet, pasi nuk ka bërë asgjë. "Avokatja e Lulit. Avokati i Popullit paguhet pa bërë asnjë punë. Në 3 vite është shumë larg pritshmërive. Ka një administratë të politizuar me njerëz partiakë. Avokati i Popullit vetëm emrin ka të tillë. Për dieta, për udhëtime, për qejfe duhet të shkojnë lekët?
Këtë nuk duhet ta pranojmë. Nga 2017, zotëria që mbrapa e përdori këtë institucion për qokë, për mikun e tij, sikur e thotë ai për Bashën. Ku ishte Avokati i Popullit kur qytetarët ikën nga sytë këmbët nga varfëria, eksodi ishte me shifra tronditëse. Në realitet Avokati i Popullit nuk është institucion i pavarur.
Kur ra tërmeti avokatja e popullit ishte në Bogota të Kolumbisë, por nuk e ndërpreu vizitën. Do të ishte më e udhës të shkrihej dhe një 1.3 mln euro qeveria t'i shpenzonte në projekte serioze dhe mos ia akordojë si bonues zyrës së avokatisë së Lulzim Bashës" tha ai.
Kritik për punën e Avokates së Popullit ishte edhe Kujtim Gjuzi. "Pse stafi juaj kur vijnë qytetarë të komunitetit rom dhe egjiptian i largon me justifikime?" pyeti ai Ballancën. Avokatja e Popullit e mohoi "Kjo është e pavërtetë. Zyra e pritjes së qytetarëve është e monitoruar me kamera. Unë do ta adresoj por për më tepër unë i pres edhe vetë shtresat vulnerabël".